Shqiptarët e veriut, as me jug as me veri

Komuna e Zveçanit, në kuadër të së cilës janë tri fshatrat shqiptare, Kelmend, Boletin dhe Zhazhë, në të cilat jetojnë rreth 70 familje, nuk interesohet për banorët e këtyre fshatrave, ndërsa Komuna në jug të Mitrovicës, justifikohet se ata i takojnë një komune tjetër. Si rrjedhojë banorët e këtyre fshatrave kanë mbetur as me jug as me veri dhe gjenden si të munden.

Isuf Kelmendi, kishte jetuar 20 vjet në veri të Mitrovicës, ndërsa paslufte ishte detyruar ta braktis banesën e tij dhe të jetojë me qera në jug të qytetit.

Pasi që nuk kishte duruar një jetë të tillë, me ndihmën e një shoqate daneze ai kishte ndërtuar një shtëpi në Kelmend, në fshatin e tij të lindjes, për të nisur një jetë të re.

Mirëpo, ai thotë se jeta as atje nuk është e lehtë, për shkak të rrethanave politike dhe pozicionit të fshatrave Kelmend, Boletin e Zhazhë që janë me Komunë të Zveçanit.

”Qarkullimi me kombi për nxënësit që mësojnë në shkollën e fshatit Boletin është larg, dhe s’kemi para me pagu. Edhe për Mitrovicë po hasim në probleme sepse i kemi nxënësit e shkollës së mesme të cilët vijojnë mësimin atje dhe s’kemi kurrfarë fondi me na e heq shpenzimet”, ka thënë Kelmendi.

Ai së bashku me familjen e tij 6-anëtarëshe pasi është vendosur në fshatin e tij të lindjes, e siguron ekzistencën duke shitur qumësht. Megjithatë, shtoi ai, edhe në këtë drejtim përballet me probleme, meqë Komuna e Zveçanit nuk ju ndihmon, ndërsa Komuna e Mitrovicës nuk i pranon duke thënë se janë banorë të një komune tjetër.

”I kam pesë lopë dhe merrem ngapak me qumësht. Po na brengos fakti se ne që jemi me komunë të Zveçanit s’kemi të drejtë me apliku për makina mjelëse të lopëve në Komunën e Mitrovicës dhe kjo po na bëhet si dënim, ndërsa Komuna e Zveçanit nuk shpërndan makina të tilla dhe s’kemi marr prej saj send” sqaroi Kelmendi.

Me probleme të njëjta përballen edhe banorët tjerë të këtyre fshatrave.

Nazmi Peci nga fshati Zhazhë, që ndodhet larg rreth 10 kilometra nga Mitrovica, thotë se banorët e kësaj ane kanë mbetur sikur jetimë, meqë askush nuk interesohet për ta. Ai ankohet më së tepërmi për gjendjen ekonomike të këtyre banorëve.

”Presim sezonin e verës, dhe merremi ngapak me kërpudhën ose manaferrën. Të punësuar në krejt fshatin janë 6 vetë. Në veri të Mitrovicës bie fjala s’paguhet rryma, kurse ne jemi të shtypur edhe në këtë drejtim, sepse s’kam të paguaj as rrymën. Marr një social prej 55 euro, ndërkaq nuk kam asnjë të punësuar”, theksoi Peci.

Ai tregon se para shumë vitesh në fshatin e tyre ishte ndërtuar një qumështore, mirëpo nuk është funksionalizuar asnjëherë. Përmend edhe shpresën që ua kishte dhënë kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, por që nuk është realizuar.

“Na ka rrejt kryetari i komunës së Mitrovicës, i kanë nxjerrë njerëzit pasaportat me shku për Kazakistan, na ka thënë ju s’bënë se jeni të Komunës së Zveçanit”, tha Peci.

Shqetësime të ngjajshme kanë shprehur edhe shumë familje shqiptare të lagjeve të ndryshme të veriut të Mitrovicës. Ata thonë se komuna e Mitrovicës nuk po bënë asgjë për ta.

Në anën tjetër, zëdhënësi i komunës në jug të Mitrovicës, Hysni Syla, ka mohuar që komuna të mos ketë treguar interesim për shqiptarët e veriut në përgjithësi.

Sipas tij, kryetari i komunës dhe organet e pushtetit lokal, asnjëherë nuk kanë qenë më të përkushtuara për problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët e veriut, duke përfshirë këtu edhe kthimin në pronat e tyre.

“Mirëpo, të gjithë duhet ta dinë se komuna në jug të Mitrovicës, nuk ka kompetenca në veri dhe nuk mund të vendos vet apo të bëj diçka më shumë”, ka thënë për KosovaPress mes tjerash Syla. /Kosovapress

Lajme të ngjashme

Back to top button