Protesta studentore në Hong Kong

Udhëheqësi i Hong Kongut, Cy Leung u bëri sërish thirrje protestuesve që të mos pengojnë aktivitetin normal të autoriteteve dhe të qytetarëve. 

Nëpërmjet një deklarate televiziove Leung paralajmëroi se policia dhe forcat e sigurisë do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar hapjen e shkollave dhe godinave qeveritare ditën e hënë.

Pasditen e së enjtes ai deklaroi se nuk ka aspak ndërmend të dorëhiqet, si dhe i paralajmëroi protestuesit për pasojat serioze, siç u shpreh, të pushtimit të ndërtesave qeveritare.

“Nuk do të dorëhiqem, sepse më duhet të kryej punën për të cilën më kanë votuar”, tha Leung, duke iu referuar reformave elektorale në ish-koloninë britanike.

Në muajin gusht Pekini vendosi veton mbi kandidadët për zgjedhjet e vitit 2017.

Sot, këto protestat po shihen si sfida më e madhe politike për Kinën, që prej lëvizjes së Tienanmenit në vitin 1989.

7 javë demonstratash përfunduan asokohe me një sulm të ushtrisë. Por, edhe pse mes dy valëve të protestave ka shumë ngjashmëri, nuk është e thënë të përfundojnë njësoj.

Paralele mes asaj çfarë ndodhi në pranverën e Pekinit, 25 vjet më parë, dhe vjeshtën e sotme të Hong Kongut, është e vështirë të mos hiqen. Në të dy rastet, dhjetra mijëra vetë kanë pushtuar rrugë dhe sheshe të qyteteve të mëdha në një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj autoritetit të paprekshëm të Partise Komuniste kineze.

Që të dyja lëvizjet nisën prej studentëve, të trajtuar gjithmonë me nderim në këtë vend, për t’u rritur më pas deri në pikën e shndërrimit në bazën e një fushate të gjerë mosbindjeje civile.

Përveç se ndajnë të njëjtën frymë idealizmi rinor, këto protesta karakterizohen edhe nga i njëjti entuziazëm i rrethuar me një përzierje qetësie, mirësjelljeje dhe qëndrese.

Ashtu siç ndodhi dhe çerekshekulli më parë, protestuesit e Hong Kongut kanë gjetur mbështetje edhe tek ata që nuk i janë bashkuar lëvizjes së tyre. Kalimtarë të rastit e njerëz të thjeshtë u kanë dhënë ushqime dhe ujë, ndërsa disa kanë vendosur vullnetarisht t’i bashkohen nismës. 

Lajme të ngjashme

Back to top button