Si vidhet në restorantet e Tiranës, viktima edhe të huajt (VIDEO)

Kësaj here ka rënë viktimë e vjedhjes edhe delegacioni policor kanadez

Vjedhjet e hapura në zonat urbane të vendit, që përbëjnë edhe krimin me ndjeshmëri të lartë dhe me impakt negativ tek opinioni publik, zënë vendin kryesor në numrin total të vjedhjeve të regjistruara zyrtarisht.

Në këtë video të siguruar nga investigim.al përshfaqet një nga metodat e vjedhjeve që ndodhin në lokalet apo restorantet e kryeqytetit.

Në vitin 2012 delegacioni policor kanadez, i cili duket në anën e majtë të pamjeve filmike, pasi ka përfunduar një takim zyrtar në Ministrinë e Brendshme është ulur në një prej restoranteve të Tiranës, ku pas disa minutash dy persona i kanë grabitur pa dhunë.

Dy autorëve, ende të paidentifikuar nga policia iu janë dashur 15 minuta për të kryer vjedhjen. Fillimisht ata janë ulur në tavolinën në cep, ku njëri prej tyre ruante, ndërsa tjetri nëpërmjet mëngës së xhupit të tij kontrollonte në xhaketën e shtetasit kanadez.

Duke mos gjetur asgjë, dy personat zhvendosen në tavolinën tjetër në mënyrë që të kenë lehtësi për të kontrolluar tek kreu i delegacionit kanadez policor.

Dy personat arrijnë të marrin portofolin dhe më pas të largohen menjëherë nga lokali të pa shqetësuar, duke mos u pikasur nga askush.

Vjedhja u konstatua më vonë dhe pas denoncimit në polici u arrit të provohej nëpërmjet pamjeve të kamerës së sigurisë së biznesit mekanizmi i vjedhjes se dy autorëve.

Referuar statistikave zyrtare nga prokuroria dhe policia vihet re një tendencë në rritje progresive e numrit total të vjedhjeve dhe një rënie e rasteve të zbulura nga organet ligjzbatuese.

Benet Koka, ekspert i çështjeve policore, evidenton problemet dhe masat që duhet të ndërmerren për të pasur nën kontroll vjedhjet e hapura.

Sipas Kokës, për të pasur rezultate në parandalimin apo frenimin e vjedhjeve ka nevojë për një eficencë më të madhe të të gjitha institucioneve ligjzbatuese.

Lajme të ngjashme

Back to top button