Kryesia e PD, Berisha e Topalli rrezikojnë të mbeten jashtë?

Disa nga emrat dhe figurat qendrore të Partisë Demokratike përgjatë 10 viteve të fundit rrezikojnë të mbeten jashtëKryesisë së re të Partisë Demokratike. Referuar statutit të ri të kësaj partie, Kryesia do të përbëhet nga Kryetari i partisë; Nënkryetarët e partisë, Sekretari i Përgjithshëm, drejtuesit e departamenteve dhe sekretarët funksionalë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar.

Gjithashtu anëtarë të Kryesisë, janë kryetari, nënkryetari, sekretari dhe zëdhënësi i Grupit Parlamentar, Kryetari apo nënkryetari i Kuvendit që i përket Grupit parlamentar të PD, Kryetarët apo nënkryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare që i përkasin Grupit parlamentar të PD-së, si dhe Kryetarët e organizatave partnere.

Referuar përbërjes së Kryesisë, e cila tashmë është e përcaktuar shumë nga figurat e kësaj partie ose duhet të kandidojnë për një nga pozicionet vakante në kupolën drejtuese të PD ose kjo e fundit duhet të ndryshojë Kryetarët apo Nënkryetarët në Komisionet Parlamentare, Kryesinë e Grupit Parlamentar apo Nënkryetarin e Kuvendit.

Në këtë mënyrë ish-Kryeministri Sali Berisha, ish-Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami, ish-ministri i Arsimit Myqerem Tafaj apo edhe deputetë të tjerë si Astrit Patozi dhe Mesila Doda, rrezikojnë të mbeten jashtë kryesisë së PD nëse nuk do të kandidojnë për një nga pozicionet, që nisin me Nënkryetarët e partisë, Sekretarin e Përgjithshëm, Departamentet apo sekretarët funksionalë.

Ndryshimet statutore kanë lënë të papërcaktuar vetëm numrin e nënkryetarëve që do të ketë Partia Demokratike, çka
do të thotë se nëse do të ketë një numër të lartë, sikundër flitet në partinë më të madhe opozitare, atëherë duket se do të ketë më shumë shpresë për të rrezikuarit nga mosqenia anëtarë të Kryesisë së PD. Deri më tani përveç kreut të PD-së Lulzim Basha, pjesë e Kryesisë së PD janë Gerti Bogdani dhe Albana Vokshi, si Kryetar i FRD dhe LDG.

Gjithashtu, nëse nuk do të ketë ndryshime të përfaqësuesve të PD në komisionet parlamentare apo pozicionet e tjera të Kuvendit, anëtarë automatikisht të Kryesisë janë Genc Pollo, Majlinda Bregu, Oerd Bylykbashi, Flamur Noka, Ridvan Bode, Aldo Bumci, të cilët janë Kryetar apo Nënkryetarë të Komisioneve Parlamentare. Edmond Spaho, Edi Paloka, Eduard Halimi, Jorida Tabaku, Gent Strazimiri, gjithashtu janë automatikisht pjesë e Kryesisë së PD, për shkak se mbajnë pozicionet e zv.Kryetarit të Kuvendit dhe kryesojnë Grupin Parlamentar të PD-së.

Genc Ruli, i cili ishte zv. Kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, pas dorëheqjes së dhënë nga ky pozicion disa ditë më parë, humbet të drejtën e hyrjes në Kryesi automatikisht. Burime nga PD theksojnë se nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndryshime në Kryesinë e Grupit Parlamentar apo Komisionet e Kuvendit, thjesht për ti dhënë mundësi disa prej deputetëve demokratë të hyjnë në Kryesinë e PD.

Lajme të ngjashme

Back to top button