Ja se çfarë i shkroi kryeministri grek Samaras, Nikolla Gruevskit

Zgjidhja e çështjes së emrit të IRJM-së i takon më shumë çështjes së vullnetit politik se sa të një procesi. Këtë mes tjerash ia ka shkruar kryeministri grek Andonis Samaras, homologut të tij maqedonas Nikolla Gruevski në përgjigjen e letrës së këtij të fundit.

Mediat greke nuk kanë publikuar shumë detaje në lidhje me letrën e Samarasit ndërsa nga kabineti i tij ende heshtin.

Në lidhje me thirrjen për takim të drejtpërdrejtë mes tyre, Samaras thotë se “procesi i deritanishëm për ta zgjidhur çështjen e emrit nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara ka mbështetje të plotë nga Greqia dhe fakti se problemi është i pazgjidhur tanimë 18 vite dukshëm i rrit dyshimet për përkushtueshmërinë reale të IRJM-së ndaj procesit dhe ndërmjetësit Nimetz” shkruan Samaras.

Sipas tij, propozimi i Gruevskit për tu formuar dy grupe të reja negociuese me mandat politik nuk “ia shtojnë vlerën” procesit ekzistues.

“Përfaqësuesi ynë në negociata, ambasadori Vasilakis posedon mandat të plotë politik për bashkëpunim konstruktiv me ambasadorin Nimetz dhe kolegun e tij nga vendi juaj, me qëllim që të gjendet zgjidhja. Nëse të dy palët politike do të tregonin vullnetin e njëjtë politik si dhe dëshirë dhe trimëri të njëjtë, kjo çështje moti do të ishte zgjidhur. Megjithatë, thelbi si duket qëndron diku tjetër. Pyetja që kërkon përgjigje është a ekziston përkushtim i vërtettë apo vetëm sipërfaqësor ndaj procesit që zgjat thuajse dy dekada” shkruan Samaras. 

Ai e përmend edhe memorandumin për mirëkuptim të cilin Greqia ia dërgoi Maqedonisë “nënshkrimi i të cilit jo që do ta përshpejtonte zgjidhjen e problemit por dhe do të kontribuonte edhe në krijimin  e ndryshimeve të rëndësishme në marrëdhëniet bilaterale dhe më gjerë” shkruan mes tjerash Samaras. 

Ai e refuzoi Gruevskin duke thënë se nuk ka pse të takohen sepse Greqia nuk e bllokon Maqedoninë, por është Bashkimi Evropian që e bën këtë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button