fbpx

Libri me një fjali

Eseja “Si një roman” u botua për herë të parë më 1992-shin dhe, qysh atëherë, janë shitur më shumë se një milion kopje në Francë dhe është përkthyer në 33 gjuhë të botës. Daniel Pennac-u, duke përshkuar përvojën e tij si fëmijë, prind dhe profesor, na shtyn të mendojmë për fuqinë që ka historia e një libri në vetvete dhe na kujton të drejtat tona për të lexuar çfarëdolloj gjëje, kudo e në çdo kohë, përderisa kjo na jep kënaqësi. Kjo ese përmban kështu një nga kritikat më të holla ndaj teknikave, kërkesave dhe udhëzimeve të sistemit arsimor kombëtar, shkruan Mapo.al.

Së pari, Pennac-u përshkruan mënyrën se si njihen më të vegjlit me kënaqësinë e të lexuarit. Mandej, analizon se si, me fillimin e shkollës, leximi shndërrohet në një punë angari, në një detyrim. Më pas, duke u bazuar në përvojën e tij si profesor, ai përshkruan një klasë adoleshentësh, të cilët rizbulojnë kënaqësitë e leximit, të frymëzuar në mënyrën më origjinale, por njëkohësisht edhe më të thjeshtë nga profesori i tyre. Pennac-u përfundon rrëfimin e tij me një manifest prej dhjetë pikash: dhjetë të drejtat që ka çdo lexues. E para në listë është e drejta për të mos lexuar.

Publiku i interesuar

Ky roman është për të gjithë lexuesit, sidomos për mësuesit dhe prindërit, sepse në të përfshihen sugjerime nga më të mençurat për të nxitur lexuesit ngurues që t’i kthehen faqeve të librit.

Kritika

“Si një roman” është një ese që nuk duhet lënë pa lexuar. Leximi simbolizon lumturi të dëlirë. Faqe pas faqeje, autori na sjell ndër mend që leximi është, fillimisht dhe para së gjithash, një kënaqësi, prandaj nuk duhet ta detyrosh dikë ta bëjë atë pa dëshirë. “Si një roman” na bën të udhëtojmë në kohë: kushdo që e lexon, arrin të identifikohet me një nga shembujt e shumtë që jep Pennac-u kur na shpjegon mësimin e të lexuarit. Ky libër zbavitës do t’ju bëjë të buzëqeshni dhe do t’ju ftojë të reflektoni. Të drejtat e lexuesit që autori ka shpikur, mund dhe duhet t’i vendosim në faqe të parë të teksteve shkollore. “Si një roman” mbetet një libër që duhet lexuar patjetër, për përmbajtjen, për stilin e Pennac-ut, për gjithçka. Kënaqësia është e garantuar!

[…]

Pika kryesore ku rreh Pennac-u, është shumë e thjeshtë: askush s’ka për të lexuar ndonjë libër ndonjëherë, në qoftë se nuk ka dëshirë. Ai thekson se leximi, së pari, është kënaqësi. Pos kësaj, do të vijnë rrjedhoja të tjera. Nëse njerëzit zgjedhin ta kalojnë kohën duke bërë gjëra të tjera, është e drejta e tyre. Ai i shikon ata me dhembje, jo me përbuzje: pa libra, ata janë të dënuar të shkojnë “një jetë pa përgjigje… dhe shumë shpejt edhe pa pyetje”.

Fragmente nga libri

1) Koha për të lexuar është gjithnjë kohë e vjedhur (Ashtu si koha për të shkruar, në fakt, ose si koha për të dashuruar.).

Po kujt ia vjedhim?

Le të themi, detyrës për të jetuar. Kjo është pa dyshim arsyeja për të cilën metroja – simbol domethënës i asaj që quhet detyrë – shfaqet si biblioteka më e madhe e botës.

Koha për të lexuar, ashtu si koha për të dashuruar, e bën të lulëzojë kohën për të jetuar.

2) Kur një njeri i shtrenjtë na jep një libër për ta lexuar, ne kërkojmë, së pari, bash atë nëpër rreshta, kërkojmë shijet e tij, arsyet që e shtynë të na e rraste librin mes duarve, kërkojmë shenjat e një veprimi vëllazëror.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close