Xhorxheviç: Canën e kam mik, flasim serbisht te Lacio

Filip Xhorxheviç është pa diskutim një nga lojtarët më të rëndësishëm dhe, mbi të gjitha, më në formë te kombëtarja e Serbisë për momentin. Sulmuesi i Lacios pritet të luajë si titullar në ndeshjen kundër Shqipërisë më 14 tetor, por rastësia e vë përballë dy shokëve të skuadrës. Ai do të sfidojë direkt Lorik Canën në fushën e lojës, ndërkohë që do mundohet t’i shënojë gol Etrit Berishës.

Futbollisti 27- vjeçar pranon se ka raporte të shkëlqyera me dy shqiptarët e Lacios, madje se me mbrojtësin komunikojnë në gjuhën serbe. “Cana dhe Berisha janë njerëz mjaft të mirë, miq të mi. Madje, me Lorikun flasim edhe serbisht. Gjatë kësaj vere kemi diskutuar për ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë. Futbolli i ka bërë bashkë duke ngrënë në të njëjtën tavolinë shqiptarët dhe serbët”, deklaroi Xhorxheviç për “B92″. Ai ka deklaruar gjithashtu se Loriku e ka ndihmuar që të ambientohet sa më mirë te skuadra italiane, ku aktualisht ka arritur të fitojë edhe vendin e titullarit, duke ulur në stol Miroslav Klosen. Për duelin e dy përfaqësuesve, Xhorxheviç shtoi:

“Do të ketë rivalitet në fushë, por ne mbi të gjitha jemi miq. Megjithatë, në terren nuk ka tolerancë”. Pavarësisht deklaratave thumbuese në aspektin sportiv, lojtarët e të dy ekipeve janë munduar të përçojnë mesazhin e një gare thjesht në aspektin futbollistik dhe asgjë më tepër. Vetëm pak ditë më parë, bomberi premtoi se do t’u shënonte gol kuqezinjve në Beograd. “I kam premtuar si Canës dhe Etrit Berishës së do t’u shënoj të paktën nga një gol në ndeshjen Serbi-Shqipëri”, deklaroi ai. Gjithsesi, serbët kanë një Kombëtare të mbushur me futbollistë cilësorë, ku bien në sy emra si Branislav Ivanoviç, Aleksandar Kolarov, Nemanja Matiç apo Lazar Markoviç i Liverpulit. Por, nga ana tjetër, ekipi i De Biazit tregoi që në ndeshjen e parë kualifikuese se është i aftë të triumfojë edhe ndaj rivalëve që janë favoritë në letër, ku mori tri pikë në transfertën kundër Portugalisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button