Tiranë, mijëra besimtarë musliman falën namazin e Bajramit në bulevard

Besimtarët myslimanë kremtojnë sot Kurban Bajramin. Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të Zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun. Kremtimi i kësaj feste filloi në orët e para të mëngjesit, kur mijëra besimtarë myslimanë u mblodhën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, për të falur Namazin.

Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit. Familja që e ther mund të mbajë aq mish sa i duhet dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra.

Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Në çdo familje myslimane gatuhen gjëra të ëmbla të cilat duhet t’u serviren dhe miqve. Ndërkohë të gjithë besimtarët si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur

Besimtarët flijojnë në orët e para të mëngjesit qindra qengja dhe desh për të evokuar ngjarjen e shenjtë, ku zë fill kjo festë, ndër më të rëndësishmet për fenë myslimane.

Disa vite më parë, kur besimi fetar, ishte i ndaluar në Shqipëri, ritet fetare, kremtoheshin fshehurazi. Ndonëse pa bujë shume familje tradicionale, shqiptarët i kushtonin një fond të veçantë kremtimit të kësaj feste.

Kurban Bajrami, tashmë një ditë feste zyrtare kremtohet prej vitesh nga të gjithë shqiptarët, pa harruar këtu devotshmërinë e besimtarëve myslimanë në këtë ditë, e cila shënon flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të zotit, në emër të dashurisë për njeriun.

Skënder Bruçaj: kurban bajrami synon bashkimin
Kreu i Komunitetit Mysliman, Skënder Brucaj duke uruar të gjithë besimtarët mysliman, theksoi se kjo ditë synon bashkimin. “Kjo e sotmja është dita e mirënjohjes ndaj begative të panumërta që allahu i madhërishëm i dërgon njerëzve të tij. Le ti gëzohemi sëbashku kësaj dite të begatë. Le ti shohim të gjithë njerëzit me syrin e madhërisë, ashtu siç na sheh i madhi zot. Kjo ditë synon bashkimin e zemrave. Gëzuar për shumë vjet festën e Kurban Bajramit, paqe e begati.”-tha Bruçaj.

Lajme të ngjashme

Back to top button