Maqedonia dhe bota islame festojnë Kurban Bajramin!

Sot besimtarët myslimanë në Maqedoni dhe botë festojnë festën e Kurban Bajramit, e cila është një nga festat më të rëndësishme të besimit Islam.

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame i Republikës së Maqedonisë Reis ul Ulema Sulejman Rexhepi dërgoi urim të Bajramit në të cilin të gjithë myslimanëve ua uron festën e Kurban Bajramit.

“Le ta falënderojmë Allahun e Gjithëpushtetshëm që na e mundësoi ta presim edhe këtë Kurban Bajram, këtë festë që sublimon mëshirën, dashurinë, humanizmin dhe respektin njerëzor. E gjithë kjo manifestohet përmes therjes së kurbanit nga ata që kanë mundësi dhe përmes shpërndarjes për ata që janë në nevojë. Përmes këtij riti të vjetër që nga koha e Ibrahimit a.s. dëshmohet përkushtimi, devotshmëria dhe besimi i paluhatshëm.” thuhet mes tjerash në mesazhin e tij.

Urime dërguan edhe kryeministri dhe përfaqësuesit politik shqiptar si dhe krerët komunal.

Sipas traditës, festa filloi me faljen e namazit të Kurban Bajramit në të gjitha xhamitë dhe objektet e tjera fetare. Në Shkup, manifestimi qendror u mbajt në xhaminë e Mustafa Pashës.

Me Kurban Bajramin mbaron dhe haxhi, që është kushti i pestë i Islamit, me të cilin dëshmohet solidariteti dhe mirëqenia. Në këtë ditë të shënuar të kalendarit mysliman theren kurbanë, që simbolizon sakrificën për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit. Familja që e ther mund të mbajë aq mish sa i duhet dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra.

Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Në çdo familje myslimane gatuhen gjëra të ëmbla të cilat duhet t’u serviren dhe miqve. Ndërkohë të gjithë besimtarët si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur.

Besimtarët flijojnë në orët e para të mëngjesit qindra qengja dhe desh për të evokuar ngjarjen e shenjtë, ku zë fill kjo festë, ndër më të rëndësishmet për fenë myslimane.

Redaksia e Portalb të gjithë besimtarëve ua uron këtë festë të madhe fetare. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button