Nëse nuk shpallet aktvendimi i Monstrës, do të paditet gjykatësi për keqpërdorim!

Aktvendimi për të akuzuarit e rastit Monstra sërish shtyhet për një afat të pacaktuar, gjë që revolton familjarët dhe po ashtu palën mbrojtëse.
Avokati mbrojtës Naser Raufi për Portalb bën të ditur se gjatë ditës së premte ka shkuar në gjykatë për të pyetur për aktvendimin dhe ka marrë përgjigje që është gati dhe se vetëm duhet të nënshkruhet.

“Isha në gjykatë dhe takova gjykatësin të cilin e pyeta për aktvendimin. Ai më tha që është gati dhe se vetëm duhet të nënshkruhet por kjo nuk mu duk e logjikshme sepse nënshkrimi vendoset menjëherë. Nëse është gati atëherë pse e vonojnë?”, tha për Portalb, Raufi.

Ai shtoi se nëse në afat prej tetë ditësh nuk sjellet vendimi, gjykatësi do të paditet nga pala mbrojtëse për keqpërdorim të detyrës.
“Disa herë jam ankuar dhe kam kërkuar që sa më shpejt të sillet aktvendimi. Kaloi më shumë se një muaj që nga afati ligjor kur duhet të shpallej, mirëpo nuk kanë si të shkruajnë aktvendim kur nuk kanë fakte dhe prova të forta kundër të akuzuarve. Kemi vendos që nëse për tetë ditë nuk shpallet aktvendimi do të padisim gjykatësin”, tha Raufi.

Për vonesën ka reaguar edhe avokati i popullit i cili ka kërkuar që aktvendimi të shpallet sa më shpejtë.

“Edhe avokati i popullit, Ixhet Mehmeti ka reaguar për këtë çështje dhe presim që sa më shpejtë të zgjidhet ky problem dhe më pas të fillojmë me përgatitjen e ankesës”, tha Raufi.

Edhe familjarët për Portalb, shprehen të revoltuar duke thënë që po luajnë e po tallen me ata siç po duan vetë.
“Po tallen si po duan. Na gënjyen disa herë duke thënë që jo sot jo nesër do të jetë gati aktvendimi. Kjo nuk është e drejtë, a duhet të gjithë të bëjmë grevë urie që të na dëgjojnë kërkesat dhe të mos na diskriminojnë? Nuk e di çfarë të bëjmë, kështu më nuk shkon. Po shkelen të gjitha të drejtat e të akuzuarve dhe askush nuk mban përgjegjësi”, tha për Portalb, familjari i të akuzuarve, Bedri Ajdari.

Kërkesat tona hasin në vësh të shurdhër, vazhdon Ajdari, aktvendimi nuk po shkruhet se nuk kanë fakte.
“Në gjykatën e apelit do të qeshin me aktvendimin që do e bëjnë,sepse nuk kanë asnjë dëshmi që i fajëson të akuzuarit, prandaj edhe nuk po e shpallin”, shtoi Ajdari.

Ndërkaq peticioni është ende në fazën e përgatitjes pasi që sipas Ajdarit nevojiten mjete financiare dhe organizim i denjë. Mirëpo ai sërish shprehet pesimist duke thënë që demokraci në Maqedoni nuk ka dhe çfarë do që të bëjnë nuk merret parasysh nga institucionet shtetërore. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button