Mehmeti i përgjigjet “Selfijes” së BDI-së

Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim në një postim në profilin e saj në facebook, i ka hedhur poshtë akuzat e publikuara sot se është duke e keqpërdorur skajshmërisht pozicionin e saj politik duke emëruar familjarët dhe farefisin nëpër poste të ndryshme.

Portali “Tetovasot” duke iu referuar burimeve të veta brenda BDI-së, ka shkruar sot se Mehmeti, përpos avancimit të të gjithë familjarëve, prej disa muajsh vazhdon studimet ne SHBA, në një kohë kur merr edhe pagën e deputetit në Kuvend.

E revoltuar nga siç thotë “burimi në BDI”, Mehmeti pasi që ka dhënë sqarime se pse dhe kush e financon qëndrimin e saj në SHBA, ka thënë se “do të ishte mirë që ‘burimet e shqetësuara’ të BDI-së, të përkujdesen që të mos i ndodhin megaskandale të tipit ‘selfie me Nexhat Agollin'”.

Ndonëse nuk e ka cekur me emër, aludimi në fjalën “selfije” qartë e ka ndërlidhur reagimin e saj me skandalin e Artan Grubit që ndodhi në fillim të kësaj jave.

Madje Mehmeti nuk ka përfunduar me kaq mesazhin dërguar Grubit. “Për të hequr vëmendjen nga skandalet e vërteta, ‘burimet’ kanë nevojë akoma të merren me mua?!”, shkruan Mehmeti.

Ende nuk dihet se cili është komenti zyrtar i BDI-së për zënkën mes këtyre dy integristëve që në të shumtën e rasteve janë parë në krah të liderit të partisë së tyre, Ali Ahmeti.

Lajme të ngjashme

Back to top button