Raporti i KiE për Shqipërinë: Opozita të ndërpresë bojkotin, sfidë pavarësia e gjyqësorit

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar raportin për Shqipërinë.‎ Asambleja ka vlerësuar progresin e bërë në pesë vitet e fundit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat si rrjedhoje e këtij progresi, teksa ka vënë në dukje një sërë problemesh që duhen trajtuar në fushën e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të Drejtave të Njeriut.

Teksa shpreh keqardhjen për vazhdimin e retorikës së ashpër midis dy palëve, i bën thirrje opozitës mos të vazhdojë bojkotin e parlamentit dhe të komisioneve parlamentare. Në raport i bëhet thirrje shumicës së majtë të mos përdorë shumicën konstitucionale për të shmangur opozitën dhe palët të gjejnë konsensus për reformat e rëndësishme.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kërkoi që reformat e rëndësishme si ajo e gjyqësorit, e pushtetit vendor, reforma zgjedhore, ajo e medias dhe ligje të tjera me rëndësi, të kryhen me konsensusin e opozitës.

Asambleja Parlamentare, në lidhje me reformën territoriale shprehu shqetësim se kjo reformë u fokusua vetëm në ndarjen territoriale dhe jo në aspektin e funksionimit të pushtetit vendor dhe e quan këtë reformë të debatueshme. Asambleja Parlamentare kërkoi nga mazhoranca zbatimin e plotë dhe pa vonesë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Vëmëndje i është dedikuar zbatimit të vendimeve të gjyqësorit. Në kuadër të reformës në drejtësi, theksi u vu tek nevoja që reforma të jetë tërësore dhe konsensuale‎ dhe i kërkohet autoriteteve që të konsultohen me Komisionin e Venecias në kohën e duhur para miratimit të ligjeve për drejtësinë.

Në kuadër të luftës kundër korrupsionit, u vlerësua miratimi i legjislacionit antikorrupsion gjatë këtyre pesë viteve dhe heqja e imunitetit, teksa kërkon nga autoritetet zbatimin e tyre.

Gjithashtu, ‎duke nënvizuar se një shërbim civil është themelor për funksionimin e institucioneve demokratike, Asambleja mori në konsideratë me shqetësim shtyrjen e zbatimit të ligjit për shërbimin civil.

Asambleja u shpreh se kjo shtyrje e debatueshme bashkë me ndryshimet masive të punonjësve të administratës në të gjitha nivelet që u bënë nga qeveria pasi mori pushtetin, janë tregues të politizimit të shërbimit civil dhe një përpjekje për ta vënë atë nën kontroll partiak. Në këtë kuadër Asambleja Parlamentare shprehu keqardhjen për politizimin e shërbimit civil në të gjitha nivelet e tij dhe kërkoi që të ndalen veprimet që minojnë funksionimin efektiv të institucioneve dhe besimin e publikut në to. Shqetësim u shpreh edhe për ‎politizimin e medias dhe të televizionit publik dhe u bë thirrje që të arrihet konsensus mbi formulën e përbërjes së AMA-s që do sigurojë pavarësinë dhe paanësinë e saj si dhe pluralizmin e mediave. /albeu

Lajme të ngjashme

Back to top button