Kosova, e para për përdorimin e internetit në Ballkan

Një lajm interesant: qytetarët e Kosovës janë përdoruesit më të mëdhenj të internetit në Ballkan, sipas një vrojtimi botëror për navigimin në internet dhe në Facebook.

Vrojtimi i Internet World Stat, mbi përdorimin e internetit thotë se 76.6 për qind e 1.8 milionë banorëve të Kosovës përdorën internetin në vitin 2013, por Kosova është gjithashtu nga të paktat vende për të cilat mungojnë të dhënat mbi përdorimin e Facebookut.

I dyti në Ballkan në përdorimin e internetit është Kroacia me 70.9 për qind të popullsisë. Gjithsesi, kroatët nuk duken shumë të interesuar për Facebook, për shkak se vetëm 1.6 milionë prej tyre e përdorin këtë rrjet të medias sociale.

Bosnje Hercegovina renditet e treta me 67.9 për qind të përdorimit të internetit. Pra, 2.6 milionë nga një popullsi prej 3.8 milionë njerëzish kanë qenë përdorues. Numri i përdoruesve të Facebookut llogaritet 1.3 milionë, gjë që përbën gjysmën e përdoruesve të internetit.

Maqedonia, ku 62.2 për qind e popullsisë përdor internetin, pozicionohet e katërta në listë. Rreth 1.3 milionë njerëz nga 2.1 milionë banorë janë përdorues. Një pjesë e madhe e tyre, 962 mijë, përdornin gjithashtu Facebook.

Sipas të dhënave të këtij studimi, Shqipëria është nga vendet e mesit në listë me 60.1 për qind përdorues interneti. Kjo do të thotë se rreth 1.8 milionë nga 3 milionë banorë janë përdorues, rreth 1.1 milionë kanë llogari në Facebook.

Niveli i përdorimit të internetit në Serbi llogaritet 57 për qind ose 4.1 milionë banorë. Përdorimi i Facebookut këtu është gjithashtu i lartë me 3.3 milionë llogari.

Në Malin e Zi norma e përdoruesve të internetit është 56.8 për qind ose 365 mijë banorë nga një popullatë prej 650 mijë vetësh. Rreth 300 mijë prej tyre janë përdorues të Facebookut.

Bullgaria, me popullsi prej 6.9 milionë banorë pati normë përdorimi në internet prej 53.2 për qind ose 3.6 milionë përdorues. Rreth 2.5 milionë prej tyre janë me profile në Facebook.

E fundit në listë llogaritet Rumania me 49.8 për qind përdorues në internet. Rreth 10.8 milionë nga 22 milionë banorët e Rumanisë përdorin internet dhe nga këto, 5.3 milionë kanë llogari në Facebook.

Lider në listën e vendeve Evropiane për përdorim interneti janë Islanda me 96.5 për qind, pasuar nga Norvegjia me 95 për qind dhe Suedia me 94.8 për qind.

Vendet më të mëdha të Bashkimit Evropian, Gjermania, Britania dhe Franca, kanë përdorim interneti prej 86.2 për qind, 89.8 dhe 83.3 për qind respektivisht.

Në fund të listës për Evropën është Ukraina me penetrim 41.8 për qind dhe Turqia me 46.3 për qind. /Kallxo.com/

Lajme të ngjashme

Back to top button