Procedura penale për spitalin ‘Bahçeci’, shpërndanin të dhënat e pacientëve

Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (ASHMDHP), gjatë inspektimit në institucionin shëndetësor privat, “Bahçeci”, ka gjetur shkelje të shumta në përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave personale të pacienteve që janë trajtuar në këtë spital.

Ish shefi i repartit të Gjinekologjisë në këtë spital, doktor Ahmet Payasli, kishte ndarë të dhënat personale shumë konfidenciale të pacientëve që janë trajtuar aty me personat tjerë.

Inspektimi i ASHMDHP-së, ka ardhur pasi një qytetar ishte ankuar se të dhënat e tij personale nuk i janë përpunuar në harmoni me legjislacionin në fuqi. Madje, në këtë spital nuk ka as dosje të personelit, e as siguri në ruajtjen e të dhënave konfidenciale të personave që trajtohen aty.

Zëvendës-mbikëqyrësi kryesor në ASHMDHP, Mentor Hoxhaj, në një konferencë për shtyp tha se janë inspektuar pesë fusha, regjistrin e hyrjeve dhe daljeve, sistemin e vëzhgimit me kamerë, marketingun e drejtpërdrejtë, transferimin e të dhënave personale dhe përdorimin e të dhënave biometrike.

Hoxhaj tha se gjatë inspektimit kryesisht janë konstatuar shkelje në rastin e shfrytëzimit të sistemit të vëzhgimit me kamerë dhe përdorimin e të dhënave biometrike, ku sipas tij, në të gjitha rastet kur kanë konstatuar përdorimin e të dhënave biometrike, jo në harmoni me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, kanë urdhëruar ndalimin e përdorimit të të dhënave biometrike, shkatërrimin e tyre dhe kanë dhënë këshilla për inspektimin me kamerë.

Ai tha se do të iniciohen edhe procedura penale për të gjeturat e inspektimit në këtë institucion shëndetësor privat, ndërsa ndaj doktorit Ahmet Payasli është duke u shqyrtuar përgjegjësia ligjore dhe në pajtim me ligjet do të iniciohen procedura ligjore dhe procedura të tjera profesionale dhe etike.

“Problemi tek doktori Payasli është se ai ka shpërndarë të dhënat e pacienteve. Ne kemi konstatuar, kemi të vërtetuar që ky person ka ndarë me të tjerët, me ankuesin, personat që janë trajtuar në kuadër të spitalit”, tha Hoxhaj.

Ai shtoi se ato të dhëna duhet të ruhen nga personeli mjekësor duke i vendosur masat e duhura të sigurisë, që praktikisht në spitalin Bahçeci nuk janë vendosur asnjëra prej tyre.

Hoxhaj ka shtuar se kur ai ka kërkuar dosjen e doktor Pauaslit, nuk e ka gjetur aty, madje as të personelit tjerë. Sipas tij, duhet të nënshkruhet një marrëveshje për mos-zbulimin e të dhënave dhe ruajtjen e konfidencialitetit.

Ndërsa, sipas njoftimit zyrtar në Kosovë, Hoxhaj tha se janë vetëm katër spitale që kanë licencën për të bërë fekondimin e asistuar mjekësor. Spitali “Fati Im”, Spitali “Lindja”, Spitali Bahçeci dhe Spitali Amerikan. Ai tha se do të inspektohen të gjitha këto spitale rreth mbrojtjes së të dhënave personale të pacienteve. (Lajmi.net)

Lajme të ngjashme

Back to top button