Anketë e IRI-t: Shqetësuese brengosja e qytetarëve për gjendjen e tyre ekonomike

Vetëm dy muaj pas formimit të qeverisë së re të Maqedonisë, një anketë e re nga IRI tregon se qytetarët e Maqedonisë gjithnjë e më shumë po brengosen për gjendjen e tyre ekonomike. Ngaqë rroga mesatare është 444 dollarë (350 euro) dhe papunësia arrin një përqindje prej 30%, ky pesimizëm është arsye brengosëse për qeverinë e re të koalicionit VMRO-DPMNE/BDI, transmeton Portalb.

“Për Maqedoninë si shtet që synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe qytetarët e së cilës e shohin anëtarësimin si çelës të përparimit të tyre ekonomik, numrat e tilla janë të zbehtë në krahasim me shtetet fqinje të cilat së fundi kanë finalizuar statusin e tyre në BE,” tha Jan Surotchak, drejtori rajonal evropian i IRI.

“Mesazhi i anketës tonë drejtuar politik-bërësve është i qartë: bëjeni prioritet krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e standardit të jetesës.” theksoi ai, transmeton Portalb.

Qytetarët e Maqedonisë duan të shohin përmirësim të standardit të jetës

Anketat tregojnë rritje të dukshme të skepticizmit për ardhmërinë e gjendjes ekonomike në vend, ndërkaq vetëm 21 përqind e të anketuarve  besojnë  se situata ekonomike e Maqedonisë do të përmirësohet brenda dy viteve të ardhshme. Ky rezultat shënon një rënie të madhe të besimit, gjegjësisht prej pesë pikëve nga anketimi i kaluar i IRI-t në maj të këtij viti, transmeton Portalb.

Njëjtë sikur gjatë dy dekadave të fundit, 72 përqind e të anketuarve theksojnë se çështjet ekonomike paraqesin problemet më të mëdha në jetën e përditshme të qytetarëve të Maqedonisë. Rezultati i tanishëm në krahasim me anketën e  bërë para katër viteve në shtator kur koalicioni kishte vetëm 2 vite në pushtet, tregon një përmirësim prej vetëm 5 përqind.

Qytetarët ende fuqishëm mbështesin anëtarësimin në BE dhe NATO

Gati një e katërta e të anketuarve e shohin anëtarësimin në Bashkimin Evropian si një akt për të sjellë pasuri dhe mundësi më të mëdha në shtet, në përgjithësi për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

Mbështetja për aderim në BE-në ngelet e lartë, me 72 përqind dhe aspirimet për anëtarësimin në NATO gjithashtu ngelin të mëdha, me 77 përqind.

Megjithatë, IRI po vëren një trend të uljes së mbështetjes së shtetit për t’u anëtarësuar në të dy organizatat. Mbështetja për anëtarësimin në BE dhe NATO është zvogëluar afro 10 përqind që nga 2012-ta, transmeton Portalb.

Qytetarët shohin rënie të lirisë së fjalës dhe shprehjes

Që kur IRI ka parashtruar pyetjen rreth të drejtave civile në dhjetor të vitit 2010, për herë të parë të anketuarit shprehën brengosje për lirisë e shprehjes. Gati gjysma e tyre (49 përqind) sugjeruan që e drejta e shprehjes së ideve nuk ekziston sot në Maqedoni, krahas 42 përqind të anketuarve që e pohojnë të kundërtën.

Metodologjia

Anketimi është realizuar nga kompania Brima Gallup me zyrë në Shkup në bashkëpunim me Williams and Associates me konsultim nga IRI. Anketa është realizuar nga 29 gushti deri më 5 shtator 2014. Në të morën pjesë 1104 banorë të Maqedonisë të moshës mbi 18 vjeçare. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button