Seferi: Të gatshëm për të vazhduar me fitore

Ndeshjet e Ligës së Dytë do të vazhdojnë të dielën, ndërsa shkak për këtë është se të shtunën që është ditë e rezervuar për këto ndeshje, i bie të jetë dita e festës së Kurban Bajramit dhe ekipet e FC Shkupi dhe ajo e KF Gostivari kishin kërkuar ndeshja të shtyhet për një ditë më vonë, që është pranuar nga komisari për gara pranë FFM-së, Vasko Dojçinovski.

Shkupi të dielën udhëton për në Kërçovë, ku do të jetë mysafire e Napredokut, skuadër kjo që në dy ndeshjet e fundit ka shënuar fitore.

Por skuadra e Shkupi është përgatitur mirë edhe për këtë duel, edhe pse në radhët e veta do të ketë përsëri disa mungesa. Mbrojtësi Erkan Seferi shprehet optimist për këtë sfidë, pasi që Shkupi në të gjitha ndeshjet e deritanishme është futur pa eufori dhe me respekt maksimal ndaj kundërshtarëve.

“Jemi të gatshëm për të vazhduar me serinë e suksesshme, andaj edhe në Kërçovë do të udhëtojmë për të njëjtin qëllim, që të marrim fitoren e radhës. Ekipi po punon në ritëm të mrekullueshëm, edhe pse së fundi kishim një orar shumë të ngjeshur. Kjo ka treguar profesionalizmin tonë. E kemi parasysh se Napredoku është në seri, por nuk duhet harruar se edhe ne kemi seri dhe besojmë të vazhdojë kështu, që është në këtë ndeshje të marrim pikët e plota”, tha Seferi.

Në duelin e të dielës trajneri Ramadani nuk mundë të llogarisë në Llazarevskin shkaku i lëndimit, si dhe Muharrem Bajrami cili u ndëshkua me karton të verdhë ndaj Makedonija Gj.P., që ishte kartoni i tij i 5-të. Por nga ana tjetër pritet kthimi i Stankovskit dhe Sallait, ndërsa gjithashtu në kombinim është edhe Besir Demiri i cili vuajti dënimin e një ndeshjeje shkaku i kartonit të kuq. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button