Reis ul Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, uron festën e Kurban Bajramit

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame H. Sulejman ef. Rexhepi ka lexuar sot mesazhin tradicional me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Ja se çfarë shkruan ai: 

“Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty shumë të mira,  andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban!  Sigurisht, ai që të urren ty, ai vetë është fatprerë. (1, 2, 3 – SURJA EL-KEUTHER)

Kushdo që ka mundësi për të prerë kurban dhe nuk pret, ai njeri le të mos vijë në xhamitë tona(për t’u falur) (Hadith)

 Të dashur besimtarë, vëllezër e motra!

Le ta falënderojmë Allahun e Gjithëpushtetshëm që na e mundësoi ta presim edhe këtë Kurban Bajram, këtë festë që sublimon mëshirën, dashurinë, humanizmin dhe respektin njerëzor. E gjithë kjo manifestohet përmes therjes së kurbanit nga ata që kanë mundësi dhe përmes shpërndarjes për ata që janë në nevojë. Përmes këtij riti të vjetër që nga koha e Ibrahimit a.s. dëshmohet përkushtimi, devotshmëria dhe besimi i paluhatshëm.

Te krijuesi ynë nuk arrin as mishi e as gjaku i kurbanit. Te Krijuesi ynë arrin vepra jonë, gatishmëria e sinqertë për sakrificë e për t’u sakrifikuar në zbatim të urdhrave të Allahut Fuqiplotë. Prej nesh kërkohet që të jemi të devotshëm, të kontribuojmë për mirëqenie e për paqe, për dashuri e drejtësi.

Besimtarë të dashur, sakrifica e juaj mund të jetë e llojllojshme. Sakrificë është edhe gatishmëria dhe angazhimi i juaj që festën e Kurban Bajramit ta gëzojnë edhe jetimët, skamnorët, njerëzit në nevojë. Mos urreni askënd e mos mbani mëri! Urojani njëri-tjetrit këtë festë duke e zgjatur dorën e duke u marr ngryk. Me këtë ditë feste le t’i flakim xhelozitë dhe inatet, ta  zgjasim  dorën vëllazërorë dhe le ta krijojmë një atmosferë festive sa më madhështore.

Mos të harrojmë e ta lusim Allahun xh.sh. që haxhinjëve tanë t’ua pranojë të gjitha lutjet dhe ibadetet që po i kryejnë në tokën e shenjtë, ndërsa lutjet e tyre le të bëhen dritë për mbarë myslimanët gjithandej botës.

Lajme të ngjashme

Back to top button