fbpx

Ramadani: VMRO-ja po bën gjithçka, BDI nuk merr asgjë

Analisti politik Ramadan Ramadani, pjesëmarrës në panelin e emisionit “Rruga drejt”, kërkoi nga BDI të jetë më këmbëngulëse në marrëdhëniet e saj me VMRO-DPMNE. Ndër të tjera, Ramadani foli konkretisht për problemin e përmendoreve shqiptare dhe tha se BDI duhet të reagojë, qoftë edhe të tërhiqet nga marrëveshja fillestare me VMRO-në, për vendosjen e tre personaliteteve shqiptare, transmeton zhurnal.

“Ndërkohë që VMRO po ju bën gjithçka mundet, ju nuk po mund të bëni kurrgjë. Të paktën duhet të tërhiqeni politikisht. Pse të mos tërhiqeni dhe kështu ta problematizoni këtë çështje”, tha Ramadani, njofton Zhurnal. Ai mori për shembull vendosjen e përmendores së terroristit të vetëdeklaruar Andon Llazov Janev-Qoseto për të ilustruar marrëdhënien e padrejtës mes dy partnerëve të koalicionit.

“Pse BDI jep por nuk merr kurrgjë?”, pyeti Ramadani.

Ai tha në vijim se BDI duhet të formalizojë me ligje zgjidhjet e problemeve, me qëllim që ato të mos përsëriten në të ardhmen. Ramadani tha gjithashtu se BDI duhet të kërkojë kufizim me ligj të kompetencave të presidentit.

Nga ana tjetër, zv/kryeministri Musa Xhaferi tentoi të elaborojë 100 ditshin e parë të Qeverisë VMRO-BDI, dhe arritjet e BDI-së për këtë periudhë kohore. Gjatë prononcimit të tij, Xhaferi përmendi disa projekte infrastrukturore të cilat po zvarriten dhe barten nga viti në vit, ndërsa nuk foli për çështjet politike. Ndër arritjet e kësaj qeverie, zv/kryeministri radhiti edhe numrin e votave dhe deputetëve që ka marrë BDI-ja në zgjedhjet e fundit, njofton Alsat-M.

Zv/kryeministri Musa Xhaferi foli edhe për mos vendosjen e 3 përmendoreve shqiptare në kuadër të Shkupit 2014, duke ia hedhur fajin Komunës Qendër për sabotimin e ngritjes së përmendoreve shqiptare. Xhaferi pranoi se “Shkupi 2014” në përgjithësi ka shkuar shumë larg dhe ka dalë prej kontrolli, si në aspektin infrastrukturor, ashtu edhe në atë historik dhe politik. /Portalb

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close