Gazetarët e Maqedonisë ankohen në Strasburg për dëbimin e tyre me dhunë nga Parlamenti

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë njoftoi sot se është ankuar në Gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut në lidhje me incidentin që ndodhi në Parlament në 24 dhjetor 2012. Në këtë ditë disa prej gazetarëve, siç shihet edhe në video, janë tërhequr me forcë nga sigurimi i Kuvendit që mos të ndjekin seancën e miratimit të buxhetit të Maqedonisë.

“Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë përmes përfaqësuesit të saj legal ka parashtruar ankesë pranë Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut për arsye të dëbimit të dhunshëm të gazetarëve nga Galeria e Kuvendit të Maqedonisë. Nga gjykata kërkojmë të konstatojë shkelje të nenit 10 të konventës evropiane për të drejtat e njeriut. SHGM-ja ka qenë e interesuar që kjo çështje të zgjidhet brenda institucioneve të vendit, mirëpo asnjë nga ato duke u nisur nga Kuvendi i Maqedonisë e deri te Gjykata Kushtetuese nuk treguan kapacitetet demokratik të konstatojnë shkelje evidente të kushtetutës së vendit”, tha sot kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.

Ankesa në Strasburg u bë pasi Gjykata kushtetuese e ka refuzuar kërkesën për mbrojtjen e lirisë dhe të drejtave të dorëzuar nga 6 gazetarë. Gjykatësit e kanë refuzuar kërkesën pasi që vlerësojnë se largimi me forcë i gazetarëve nga galeria e sallës së Kuvendit ka ndodhur për shkak të situatës konkrete të eskalimit të kaosit ndërsa qëllimi ishte mbrojtja e gazetarëve dhe që të sigurohet qetësi në sallë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button