Komuna e Çairit nuk çan kokën për familjen Limani

Familja Limani tani më disa muaj pret ndihmën e premtuar për vërshimet të cilat shkatërruan shtëpinë e tyre.

Kryefamiljari Kadri Limani thotë që tani më disa muaj jetojnë në borxhe të mëdha dhe se askush nuk ka përgjigje se pse po vonohet ndihma e premtuar.

“Kaluan muaj dhe asgjë nuk u bë. E kam ditur që nga fillimi që kot ankohemi e dërgojmë fotografi në komunën e Çairit, askush s’do të na ndihmojë. Kemi hy në borxhe të mëdha që ta bëjmë sërish shtëpinë e banueshme, por për këtë askush nuk do t’ja dijë”, tha për Portalb, Limani.

Ai shton se po të rregullohet kanalizimi i shkollës fillore “Emri Elezi”, në lagjen e Dizhonit, ata s’do të kishin më probleme çdo herë që të bie shi.

“I gjithë uji që mblidhet në oborrin e shkollës nuk ka ku të shkojë dhe hyn në shtëpinë tonë, këtë është dashur që ta rregullojë vetë komuna. Disa herë kishte iniciativë që në banorët të japim nga 100 euro edhe të rregullojmë këtë çështje, por a nuk mjafton që ne po paguajmë tatime për çdo gjë? Kjo nuk është e drejtë”, shtoi Limani.

Sipas tij kjo çështje do të rregullohet vetëm se BDI është në pritje të momentit të duhur.

“E gjithë kjo çështje do të politizohet. Kjo do të rregullohen se kështu më nuk shkon, por BDI është duke pritur momentin e duhur që të bëjë këtë hap. Duke pasur parasysh që tani i ka rënë mjaft rejtingu kësaj partie, po shfrytëzon rastin që të ruaj këtë rast për zgjedhjet e ardhshme dhe më pas të krenohet se ka bërë diçka”, tha Limani.

Nga komuna e Çairit, Rami Qerimi kohë më parë tha se komisioni për vlerësimin e dëmit përgatit raportin dhe lëndën dhe ajo do të dërgohet në Qytetin e Shkupit, e më pas në qeveri për tu miratuar nëse merret ndonjë vendim.

Kurse sa i përket situatës së vërshimeve, Qerimi thekson se në lagjen e Gazibabës projekti për kanalizimin e ri është në përfundim e sipër dhe se më pas do të realizohen edhe projektet e tjera për lagjet e tjera.

/portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button