Berisha: Në Shqipëri krimi është vetë qeveria, qytetarët të ngrihen kundër saj

Ish-kryeministri Sali Berisha nëpërmjet një statusi në rrjetin social, Facebook, ka akuzuar kryeministrin Rama si përgjegjësin kryesor të situatës së krimit në vend. Duke u ndalur tek zbulimi i identitetit të dëshmitarit kyç, në gjyqin ndaj vrasjes së komisarit Dritan Lamaj, Berisha ben sërish përgjegjës Ramën.

“Të dashur miq, kriminalitet ka kudo por në Shqipëri, krimi është vetë qeveria dhe kreu i saj është Edvin Kristaq Rama. Zhvillimet dramatike në proçesin gjyqësor të ekzekutimit tek dera e shtëpisë e komisarit Dritan Lame dëshmojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se Rama vetë është kreu i krimit në Shqipëri. Le t’u referohemi fakteve: Në revanshin për të uzurpuar institucionet e pavarura, Rama bëri disa ligje anti-kushtetuese, për të cilat i duhej shumicë e cilësuar. Në një nga ato seanca, grupi Frroku (Toma dhe shokët) ikën nga Parlamenti duke bërë që të humbej shumica e cilësuar. Të dy bashkëkryetarët e “aleancës së qelbësirave”, Rama – Meta, i shkuan në restorant duke iu lutur grupit të tyre të votonin ligjet në Parlament. Pjesë e negociatës Rama – Frroku për votimin e ligjeve ishte lëshimi i vëllait të Frrokut nga burgu përmes “ikjes së dëshmitarit në drejtim të paditur”. Të dyja palët e mbajtën fjalën. Ligjet u votuan të nesërmen dhe po atë ditë komisar Dritan Lamaj u tradhëtua nga shteti i tij për interesa të ulta të klikës Rama – Meta. Dëshmitari i vetëm okular në vendin e ngjarjes që mbrohej nga policia nuk u paraqit në seancën gjyqësore. Sipas policisë, që e kishte në mbrojtje, ai u arratis në drejtim të panjohur”, sqaroi Berisha.

Sipas tij, ‘Rama është vetë koka e krimit sepse më dt 15 shtator mediat dhe policia njoftojnë se dëshmitarit të mbrojtur nga policia i kanë vendosur tritol nën sediljen e makinës. Burime nga policia më njoftuan se vendi i vendosjes dhe sasia e tritolit ishin të njejta me vendvendosjen dhe tritolin në të ndenjurat e Besnik Dervishit. Të nesërmen, policia, ndonëse e kishte njoftuar një ditë më parë, vendosjen e tritolit mori urdhër ta mohonte këtë ngjarje dhe mediave iu bënë kërcënime dhe presion nga qeveria që lajmin të mos e transmetonin. – Me urdhër nga lart, në shkelje të të gjitha ligjeve, policia dekonspiroi emrin e vërtetë të dëshmitarit dhe bëri publike foton e tij, gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë. – Rama është koka e krimit sepse para pak ditësh, dëshmitarit të cilin policia e kishte strehuar në një banesë të fshehtë, sipas mediave i shkuan për vizitë i ati i Frrokut me dy të tjerë me një mesazh të prerë: “Mbylle gojën ose kokën”.

Më tej lideri historik i demokratëve apelon se qytetarët duhet të ngrihen dhe të protestojnë ndaj asaj që ai e quan, aleanca e kriminalitetit.

“Ky është vetëm njëri nga rastet e shumta që dëshmon se në Shqipëri krimi është kryeministër, kryetar parlamenti e qeverie dhe vendi protektorat krimi. I bëj thirrje prokurorisë së shtetit të nisë urgjent hetimin për të gjitha këto akte që zëvendësojnë ligjin dhe shtetin ligjor me krimin dhe sundimin e tij dhe ti garantojë me çdo kusht mbrojtje dëshmitarit të vetëm në proçesin e ekzekutimit të komisarit Lame. Eshtë shumë e qartë që, në zbatim të marrëveshjes së 29 korrikut, Rama dhe falangat e tij duan ta eliminojnë atë fizikisht. Ftoj qytetarët të ngrihen kundër aleancës së kriminelëve sepse revolta popullore e të gjithë qytetarëve që nuk duan të qeverisen nga krimi është jetike për fatin e tyre dhe të vendit!!”.

Lajme të ngjashme

Back to top button