Deri në mars të 2015, qytetarët duhet t’i rregullojnë çështjet e banesave të tyre

Qytetarët që jetojnë në banesa me status të pazgjedhur, pra që nuk posedojnë ende marrëveshjen e blerje, qirasë apo jetojnë në mënyrë të paligjshme, deri në fund të muajit mars të vitit 2015 duhet të vendosin: ose t’i paguajnë qira shtetit ose t’i blejnë banesat. Të gjithë ata që nuk do të përcaktohen për asnjërën nga këto mundësi, atëherë do të jetë shteti ai që do t’u dorëzojë kontratë qiraje. Pas kësaj, ata nuk do mund ta blejnë banesën. Qiraxhinjtë e ardhshëm do të kenë për obligim që t’i paguajnë rregullisht faturat e ujit, rrymës dhe mbeturinave. Çmimi i qirasë apo i blerjes do të përcaktohet varësisht nga të ardhurat e familjes. Qiraja do të jetë nga 25 deri 75 denarë për metër katror. Për shfrytëzuesit e ndihmavesociale, qiranë do ta paguajë shteti, kurse ata që do vendosin ta blejnë banesën, do të kenë këto kushte, transmeton Alsat.

“Të gjitha grupeve iu ofrohet normë fikse interesi prej 4%, afat maksimal pagese prej 30 vitesh. Dallimi mes të gjitha grupeve, në pjesën e blerjes ka të bëjë me kuotën e pjesëmarrjes. Ata që kanë të ardhura më të vogla, iu kërkojmë pjesëmarrje më të vogël, ata që kanë të ardhura më të larta iu kërkojmë pjesëmarrje më të lartë. Sa më të vogla të jenë të ardhurat, aq më e vogël do jetë edhe sasia e caktuar për blerje dhe anasjelltas”, tha Mile Janakievski, ministër i transportit dhe lidhjeve.

Ministri thotë se qytetarët duhet të dorëzojnë vetëm kërkesë te Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për blerje ose marrjen me qira të banesës. Duke filluar nga e hëna, nëpunësit e Ndërmarrjes Bublike Banesore do të shkojnë nëpër banesa dhe do t’i informojnë qytetarët për masat e reja. Në shtet ka gjithsej 2 300 banesa me status të pazgjidhur, prej të cilave 770 janë shoqërore, 800 me banues të paligjshëm kurse në 800 të tjera jetojnë familje me të ardhura të ulëta.

Lajme të ngjashme

Back to top button