fbpx

EMIGRACIONI MAQEDONAS

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve…

E komprometuar duke bërë propagandë për hesap të Bullgarisë para luftës dhe për shërbimet që i bënte regjimit të saj gjatë kohës së okupacionit emigracioni maqedonas e ngushtoi vendin e fqinjit tonë lindor. Meqë ajo këtu gjeti emigrantë nga vendlindja e ngushtë, të asimiluar dhe të njoftuar me rrethanat e brendshme shtetërore me ndikim te personalitetet e rëndësishme, ai u bë faktor i rëndësishëm. Kishte rrezik që kjo pjesë e madhe e ikanakëve në aleancë me një numër të madh kuadrosh maqedonasish, funksionarët shtetërorë, mos ta marrë pushtetin. Prandaj të gjitha regjimet bullgare, sado që ishin të vetëdijshëm për nevojën e marrëdhënieve të mira me ne, përpiqeshin që synimet e këtyre njerëzve t’i drejtonin matanë kufirit dhe të gjitha mendimet t’i koncentrojnë për t’u kthyer në shtëpi. Së këndejmë krahas vëllazërive të moçme bëheshin të reja, themeloheshin revista të reja irredentiste dhe në organizatën revolucionare anëtarësoheshin njerëz të rinj. Se kur nuk mundeshin të ktheheshin prapa me të mirë, duhej patjetër të provohej me të keq e me forcë, ndonëse me pak shpresa për sukses.

Ky emigracion maqedonas është mëkat yni, mëkat serb. Pas luftërave të viteve 1876/77 pushteti turk nisi t’i mbyllë shkollat tona dhe nisi ta ndjekë popullsinë tonë si antishtetërore. (Që në ato kohë, pra në kohë të Turqisë, nën trysninë e rusit në viset tona kishte shkolla serbe, të cilat propagandonin idenë serbomadhe. E shkolla shqipe? Shkolla shqipe nuk lejonte turku. Shën. i përkthyesit). Serbët bënin luftëra të vazhdueshme me Perandorinë Otomane, që nga viti 1804 (Nën patronatin e rusit dhe me ndihmën e fuqive të mëdha të Evropës. Shën. i përkthyesit), e mos të flasim për Krahinën e Koçit dhe për ekspeditat tjera austriake, në të cilat kanë marrë pjesë rregullisht. Emri i tyre në portë është shënuar si sinonim i fjalës revolucionar. Prijësi i kryengritjes së tyre bëhet anëtar i “Heterisë” në mënyrë që t’i nxisë popujt tjerë të Ballkanit në luftë për çlirim. Një ministër tjetër i tyre i bëri “naçertanijat”  të cilat e caktojnë tërë programin  për revolucion të përgjithshëm në Ballkan. As deri në atë kohë ne nuk kemi qenë të favorizuar në Turqi. Mirëpo pas çlirimit të Nishit (okupimi i Nishit shqiptar, shën. i përkth.), ne iu bëmë ferrë në sy. (Pushtimi i Nishit nga ana e serbëve u bë me pastrim etnik dhe me gjenocid të popullsisë shqiptare e cila në atë kohë në ato anë përbënte shumicën e popullsisë. Shën. i përkthyesit). Duke e shfrytëzuar mungesën tonë Bullgaria futet thuajse pahetueshëm në Maqedoni në mënyrë që pas bashkimit me Rumelinë lindore ta hedhë tërë buxhetin e saj këndej, pastaj arsimin e saj e më në fund edhe çetat e komitëve. U bë një denacionalizim i gjerë i fisit tonë në Maqedoni. Me mundim u nxor nga vatrat tona sllava (festë familjare te serbët që lidhet me ndonjë shenjtor, emrin e të cilit e mban ndonjë anëtar i familjes. Shën. i përkthyesit) dhe u fut imendani (festë që lidhet me emrin e personit, dita e emrit. Shën. i përkthyesit), megjithatë vendasit e ruajtën “preçistën” (festë që lidhet me Shën Mërinë Virgjër. Shën. i përkthyesit). U zhdukën mbishkrimet nëpër manastire. (Ja një dëshmi se shqiptarët nuk kanë prekur nëpër faltore e përmendore të ndryshme fetare e tradicionale, të kujt do qofshin ato. Shën. i përkthyesit). Nga Kraleviç Marku u bë Kral Marko. E kështu me radhë, të mos i radhisim më, faktet tashmë të njohura. (Mjeshtrit më të mëdhenj të shtrembërimit të fakteve historike dhe të traditës janë vetë serbët, të cilët kanë shkuar aq larg sa që kanë bërë kisha e faltore të reja dhe në derë ua kanë shkruar datat mesjetare. Madje ka ndodhur që të shkruhen këngë epike e “të futen” në thesarin popullor. Shën. i përkthyesit). Kush do të duhej t’i dilte përballë këtij invazioni të propagandës së huaj në viset tona historike e kombëtare. Përgjigjja është e thjeshtë: Serbia zyrtare. Mirëpo ajo në atë kohë ishte e paralizuar me luftëra të brendshme, të cilat i bënin radikalët për kushtetutë e parlamentarizëm. Pas vitit fatkeq 1885 derisa autoriteti ynë bie në jug të vendit, konfliktet partiake janë gjithnjë e më të ashpra dhe ato me ndryshimet e njohura zgjasin deri në vitin 1903. Duke u lavdëruar se i kanë bërë për vete pesë të gjashtat e popullit në Serbi radikalët nuk e shpallnin sa popull kemi humbur në jug të Serbisë dhe në çfarë përpjesëtimi, madje nuk e venë në dukje as në kujtimet e sotme për Kryengritjen e Timokut.

Duke i vënë në pah meritat e tyre për ruajtjen e fronit nuk flasin as Jovan Ristiçi, as Milutin Garashanini, as Nikola Hristiçi, as të gjithë prijësit e “e partisë së katërt” sa serbë janë denacionalizuar në atë kohë në Maqedoni. (Fjala është për konfliktin e egër politik midis serbëve dhe bullgarëve për popullsinë sllave të Maqedonisë, cili do ta bëjë për vete, në kohën kur popullsia e këtyre anëve, kryesisht, ndjehej si bullgare. Shën. i përkthyesit).

E, ky tash është ai emigracioni në Bullgari. Dhe lidhur me të duhet të gjendet ndonjë farë zgjidhjeje.

Janë dy mendime krejtësisht të ndryshme. Sipas njërit duhet të jepet leje e përgjithshme që të gjithë ikanakët të kthehen në shtëpi, sipas tjetrit të mos lejohet asnjëri. I pari është demagogjik, i dyti reaksionar. I shtrojnë dy qarqe njerëzish: partizanët për shkak të spekulimit për mandate deputetësh dhe ata të cilët okupimi bullgar i ka bërë borxhli deri në fyt e ua ka përlyer duart me gjak, e tash për shkak të Nikollës e urrejnë edhe shën Nikollën. Këtë çështje mund ta zgjidhë vetëm ai i cili interesat e kombit i mban gjithmonë përmbi interesat e partisë, kurse plagët e veta përfund dhembjeve të përgjithshme.

Para së gjithash është e pamundur të kthehen ata, të cilët i kanë përlyer duart me gjak, që e kanë shtypur popullin tonë gjatë okupacionit, as “dejcit” e eksponuar për bullgarizimin e Maqedonisë, as funksionarët e dalluar të vëllazërive, emisarët për kongrese të ndryshme politike, as vargun e tërë të daskallëve dhe daskallicave (mësues dhe mësuese. Shën. i përkthyesit), i cili nuk deshi të pajtohej me rendin e ri të gjërave, asnjërin i cili nuk është në koncepcionin jugosllav, po në botëkuptimin separatist të Todor Aleksandrovit. (Atë politikë të cilën e zhvillonin serbët e asaj kohe ndaj maqedonasve, sot maqedonasit e zhvillojnë ndaj shqiptarëve. Pa kurrfarë risie. Shën. i përkthyesit). Nuk duhet të mashtrohemi se kur të kthehen ata do të pushojë aksioni i komitëve dhe puna nëntokësore e e organizatës revolucionare. Gjithmonë do të ketë elemente të mjaftueshme për këtë punë ndër njerëzit të cilët nuk mund të vijnë prapë dhe e kaluara e të cilëve është një udhërrëfim për luftë kundër nesh. Ata do ta vazhdojnë punën, ndërsa emigrantët e kthyer të kësaj fare do t’ua lehtësojnë krijimin e kanaleve dhe të qendrave për zhvillimin e aksioneve.

Mirëpo midis këtyre emigrantëve ka shumë ikës nga ushtria, të cilët tash do të kishin mundur të shërbejnë, e të shkojnë në shtëpi. Pra njerëz të tillë të cilët kanë ikur nga terrori i nëpunësve tonë të korruptuar dhe jointeligjentë. Ka njerëz, të cilët lidhjet familjare i kanë qitur andej dhe për një çast janë gjetur pa pasaportë e tash nuk mund të kthehen. Ka nga shtresa tregtare të cilët duan të rrinë në dy karrige, oportunistë midis intelektualëve. Ka të atillë të cilët nuk i ka helmuar regjimi i Ferdinandit plotësisht dhe të cilët janë për orientim bujqësor. Ka plot njerëz nga vegjëlia me halle ekonomike, me obligime familjare, me shpirt sllav. Ata do të duhet t’i kthejmë  ngadalëz pas mbledhjes së të dhënave të mjaftueshme e të vërtetuara nga ana e ambasadës sonë në Sofje, e jo nga ana e klubeve partiake në këtë qytet ose në tjetrin. Prej tash e dimë se do të ndodhë e kundërta dhe se kërkesat e disa partizanëve do të jenë me ndikim vendimtar në tërë çështjen. Po pikërisht për këtë arsye ta shpëtojmë shpirtin dhe ta tërheqim vërejtjen për rrezikun që qëndron para nesh.

Me siguri edhe qeveria është nisur nga këto shkaqe kur ka pranuar që emigrantët të kthehen “në bazë të gjerë”. Këto shkaqe bazohen më shumë në ndjenjat për drejtësi sociale, se sa në dobinë politike. Suksesi politik është i parëndësishëm: zvogëlohet pak ushtria, mirëpo pjesa dërmuese mbetet me të gjitha shtabet dhe me të gjithë gjeneralët në Sofje, në Xhuma dhe në Petriç. Do të kishte qenë punë idioti të bëhet dislokim i ri, e këto garnizone të sillen e të vendosen përsëri në Vardar. Ç’është e vërteta ne jemi vendi i vetëm pa këshill parlamentar për punë të jashtme dhe neve ata të regjimit gjithmonë na venë para aktit të kryer. Mirëpo sa më shumë sy që të shohin më mirë, nuk mund të supozohet se danajt e qeverisë se Cankovit do t’ia venë në shërbim z. Pashiçit edhe kësaj radhe sinqeritetin e njëjtë, si atë të vitit 1913 e 15, e ai mos ta vejë re.

Kurse kjo jo që nuk është e mundur, po besa është shumë e sigurt. Pikërisht këto ditë zonja e një nënkoloneli të vrarë bullgar, përndryshe njeri i kulturuar në të gjallë të tij, kish kërkuar të shkonte te familja e burrit në Shkup për rregullimin e disa punëve private. Dhe qeveria jonë e lejoi këtë ardhje. Mirëpo qeveria e z. Cankovit ia ndaloi të vinte. Pastaj vëllai i nënkolonelit të ndjerë kërkoi të shkonte prej këtu në Sofje për shkak të takimit atje dhe nga ana jonë iu lejua. (Jeliçi, si dhe pushteti i tij, nuk lënë pa i shkuar prapa asnjë njeriu. Si sot në pjesën dërmuese të hapësirës ish jugosllave. Shën. i përkthyesit). Pra kjo është ajo “në bazë të gjerë”. Ata përfund Vitoshës zhvillojnë njëfarë politike edhe kur është fjala për një grua edhe kur është fjala për rregullimin e çështjes së pasurisë. E ç’do të ndodhë vallë kur ardhja do të shndërrohet në vërshim. Duhet t’i hapim sytë mirë kur të japim leje për kthim për çdo emigrant.

Në tërë këtë aferë të dhembshme megjithatë një gjë është për ngushëllim. Ja po nisen do marrëdhënie, çfare do që të jenë, midis dy fiseve të armiqësuara sllave. Ato gjithmonë janë të mira meqë bëhen shkaktarë për ndonjë farë bisede. (Jeliçi dhe pushteti i tij është i gatshëm të vërë ndonjë kontakt me bullgarët, kurse me shqiptarët nuk mund ta marrë me mend të ketë. Shën. i përkthyesit). Dihet se në biseda edhe armiqtë më të përbetuar i zbusin qëndrimet e tyre. Kurse ato duhet të ndërrohen patjetër për shkak të ecjes së pandërprerë të kohës, të ditëve që po paralajmërojnë një jetë në shtëpi të përbashkët për të gjithë familjen sllave në jug.

Vetën nëse dikush ju thotë se kjo gjë mund të realizohet menjëherë, mashtrohet edhe vetë i mashtron edhe të tjerët. Koha, vetëm koha është e aftë t’i shërojë plagët dhe t’i zbusë dhembjet.

18. – 12. – 923


LEXO PJESËN PARAPRAKE – PËRSËRI PËR SHPËRNGULJEN E TURQVE

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close