BDI fsheh bashkëpunimin e heshtur me opozitën që e sfidon edhe moralisht

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka sfiduar moralisht opozitën e dobët duke e konsideruar atë si asgjë në skenën politike dhe të pa denjë qoftë edhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ky komoditet i BDI-së, nga mungesa e një opozite të konsoliduar, sipas analistëve e ka bërë atë që të sillet në mënyrë shumë konfuze dhe të lëvizë si një mjegull e zezë dhe destruktive, duke pranuar njëkohësisht edhe mangësitë politike dhe pa paguar koston e humbjes.

Neziri: Front i përbashkët opozitar për të ndaluar destruktivitetin e BDI-së

Publicisti Xhelal Neziri, thot për Portalb se më duhet të pajtohem me Ali Ahmeti kur thotë se nuk ka opozitë. Është e vërtetë se nëse do të kishte zgjedhje të reja parlamentare BDI do të fitonte pothuajse numër të njëjtë te deputetëve – 18 plus deputetja e RDK-së që u transferua në taborin e Ahmetit.

“Kemi një situatë kur kemi pakicën e bashkuar rreth BDI-së dhe shumicën e përçarë në opozitë. Kjo situatë zgjat dhe do të zgjasë edhe 1-2 vite, kur shumica do të ndërgjegjësohet për nevojën e bashkimit në një front të fuqishëm opozitar shqiptar, i cili do të largojë mjegullat e zeza mbi hapësirën politike dhe do të hapë një horizont të ri me perspektiva më të ndritshme. Tani për tani BDI ka një komoditet, i cili i jep liri të veprojë me tërë fuqinë destruktive të saj”, thotë Xhelal Neziri.

Sinani: Deklaratat e Ahmetit, konfuze dhe jo korekte për publikun

Publicisti Ismail Sinani, thotë për Portalb se deklaratat e Ali Ahmetit, duke i karakterizuar zgjedhjet e parakohshme si të panevojshme për shkak edhe të opozitës së dobët, janë konfuze dhe aspak korrekte në kuptimin politik.

“Pas gjithë kësaj përbuzjeje që u bëhet shqiptarëve, e sidomos pas një rezultati fantastik të zgjedhjeve të fundit, të thuash se nuk është mirë të shkohet në zgjedhje për shkak të opozitës së dobët, flet qartë për vijimësinë e ‘marrëveshjes së heshtur’ mes dy blloqeve aktuale politike të shqiptarëve, pra të pushtetit dhe opozitës”, thotë Ismail Sinani.

Sipas tij, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, tashmë qartë duket se i kanë ndarë detyrimet e tyre karshi bllokut maqedonas. Së fundmi kjo më së miri u dëshmua edhe me konstituimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare që drejtohet nga Gjorge Ivanovi.
“Pra nisur nga e gjithë kjo, tashmë shihet dhe nënkuptohet se në Maqedoni duhet të ndryshojë tërësisht mentaliteti politik i talljes me elektoratin. Shqiptarët tashmë kanë ardhur apo duhet të kenë ardhur në fazën e pjekurisë politike kur ‘nuk do t’i hanë’ deklarimet se kriza në Ukrainë qenka shkas që Maqedonia nuk ka marrë ftesë për anëtarësim në NATO dhe rrjedhimisht edhe gjuha shqipe për shkak të këtij konflikti ruso-ukrainas, nuk mund të përdoret nëpër të gjitha nivelet që e parasheh Marrëveshja e Ohrit”, thotë Ismail Sinani.

Ismaili, thotë se është tallje dhe ofendim për shqiptarët të thuash se ‘edhe ne jemi të pakënaqur, por ja që proceset po i ecim përpara’.

“Parashtrohet pyetja logjike se si mund të jesh bashkë me dikë 12 vite të plota me dikë që ‘nuk të ecë muhabeti’. Pra, mos vallë prapa kësaj qëndron diçka tjetër?! Sidoqoftë edhe deklarata për zgjedhje të parakohshme është në frymën e ‘fitimit të kohës’ dhe të amortizimit të pakënaqësisë”, thotë Ismail Sinani.

Lajme të ngjashme

Back to top button