Tragjikomedia e testeve eksterne, solli haraçin në gjak

( Në shtetin ku rrënohet kulti i mësuesit dhe vullneti për të nxënë)

“Vlerësimet” eksterne nëpër shkollat fillore dhe në shkollat e mesme në R.M. janë lojërat e politikave absurde të një shteti që po fundoset në hendekun e tranzicionit. Teoritë botërore të psikologëve për ndjenjën e brishtë të ndërlidhjes së notimit të ndërgjegjshëm: përmes detyrave, testeve, përsëritjeve, hartimeve, punës cilësore, projekteve, përcjelljes në kontinuitet të nxënësve, prej datës një shtator e deri në datën dhjetë qershor; punës avangarde sipas Taksonomisë së Blumit, rrespektohen dhe realizohen me kujdes në shkollat e R. Maqedonisë. Ky farë lloj testi ekstern me gabime të bëra lëmsh,(ekstreme) ku, në klasat e gjashta, haseshin pyetje të klasave të shtata ose të nënta dhe shumë gabime tjera sintaksore e morfologjike, kjo lojë që sjellë drithërima zemrash njomake e që zgjat përafërsisht një orë e gjysëm, krijoi stresin, makthin reciprok tek nxënësit dhe mësimdhënësit me përvojë të gjatë pune si dhe tek të punësuarit e rinj që duhet të stimulohen e të absorbojnë njohuritë fleksibël për ndërtimin e tyre si mësues profesionist. Gjatë asaj periudhe disa minutëshe, nxënësi mund të ketë frikë (disa nxënës shprehen më mirë gojarisht ), ose –ose, mund të “zbulojë” mënyrën që përmes teknikës së sotme gjigande, t’i gjejë përgjigjet e sakta. Gjatë kësaj katrahure ka ndodhur që nxënësi i shkëlqyeshëm të merr notë të dobët ,kurse nxënësi që gjatë tërë vitit nuk ka treguar rezultate të duhura të merr notën maksimale. Implementimi i këtij proçesi qesharak, modernizimi i arsimit përmes këtyre proçeseve hokatare e qëllimkëqija, vetëm mund ta përbaltë rrugën drejt ngritjes së cilësive nëpër vatrat shkollore. Në shkollat tona edhe në mungesë të dritës, shikohet profesionalizmi, puna me ndërgjegje e mësimdhënësve të gjorë që me pagat e tyre të pamjaftueshme për ekzistencë, mezi arrijnë t’i dalin në qosh muajit. Ndjeshmëria morale, padrejtësia i detyroi shumicën e mësimëdhënësve të reagojnë përmes letrave të shkruara në E- ditarin, por asnjëri, asnjëherë nuk mori kurrfarë përgjigje.

Dhe një ditë u dëgjua haberi për një rrëfim konvencional. Informacionet e pajustifikueshme se 7% do ju shtoheshkan pagat mësimëdhënësve dhe do të dënohen “mëkatarët” e testit ekstern. Kështu frikuan të shenjtët nga kukudhët. Arsimdashësit nuk i zë gjumi i natës nga ndëshkimet kriminele. Sot, kur në katund të vjetër nuk po ndodh asgjë e re, në ca lista të hedhura në faqe interneti, dalin emrat e mësimëdhënësve të nderuar (disa prej tyre para pensionimit , profesorë me pietet që kanë përcjellur gjenerata të shumta, që kanë dhënë kontributin e tyre katër dekada me radhë, do të na ndëshkoheshkan) Këta njerëz që meritojnë lavdata, shpërblime matriale e morale po rimendohen që të japin nënshkrimin e tyre të artë për ta dënuar veten. Dhe asgjë s’po ndodh mbi këto “ argumente” mbi këto rrena të kurdisura nga një shtet dështak që pështynë fytyrën e vet, sepse ka ngecur në këmbët e korrupsionit. Të çaluarit që kujtojnë se do të ecin para duke dënuar punëtorin e ndërgjegjshëm, e jo vetveten, vazhdojnë të mashtrojnë edhe ata që kanë frikë të debatojnë.

Tani na mbetet të rilexojmë nenet e Konventës Europiane të të drejtave të njeriut ,ose t’i drejtohemi avokatit të popullit, ilustruesve, Komitetit të Helsinkit, ose të dalim në rrugë si lypsarë të përhershëm që statujat të ringjallen e të na hedhin ndonjë para në gishtërinjtë e lodhur nga të shkruarit në E-ditarin dhe në ditarin e letrës.

Vendimi për dënimin e mësimdhënësve për këtë testim të pa logjikshëm, joreal dhe absurd, mund të quhet dhunim i drejtpërdrejtë i të drejtave dhe dinjitetit, personalitetit të arsimtarëve të pafajshëm, për përfitime dhe favore individuale. Këto truke, këto eksperimente me shtresën më të brishtë të një shoqërie janë hak, ose haraç në gjak që është praktikuar nga sundues primitiv të kohërave të kaluara. Situata problematike e krijuar në arsim, kërkon këshillime nga modelet europiane të shteteve me një ekonomi të zhvilluar . Momentet kritike në këtë shtet të varfër që mbeti në situatën: “status quo” nuk duhet të tejkalohen duke grabitur kultin shembullor të mësuesisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button