Institucionet të rregullojnë çështjen e përkthimeve

Dita ndërkombëtare e përkthyesve i gjen shqiptarët e Maqedonisë pa një shoqatë apo organizatë të vetën. E përveç kësaj, nuk funksion si duhet as mekanizmi institucional i nxjerrjes së kuadrove profesionistë si dhe organizimit të mirëfilltë në fushën e përkthimeve. Megjithëse tregu i përkthimeve aktualisht është zgjeruar si kurrë më parë dhe paralelisht kësaj – përkthimi është kthyer në një zanat të leverdishëm financiarisht, prapëseprapë problemet e përkthyesve janë tepër të mëdha, shkruan KOHA.

“Sot marrin guximin të përkthejnë të gjithë, pavarësisht nëse janë përkthyes profesional ose jo. Secili që gjen mundësi të sigurojë një tekst e përkthen atë pa mbajtur përgjegjësi për cilësinë”, thotë përkthyesi Nehat Duraku, e sipas të cilit, në këtë lëmi kemi një kaos të vërtetë.

Duraku konsideron se rregullimi i kësaj çështje mbetet një detyrë e institucioneve akademike dhe shtetërore, konkretisht e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkup, ku prej vitesh funksionojnë grupet e përkthyesve si dhe e Inspektoratit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo e fundit, sipas tij, duhet të krijojë një databazë, me të dhëna të specifikuara për të gjithë përkthyesit profesionit dhe ti angazhojë të njëjtë konform nivelit dhe përgatitjes së tyre, kurse Katedra e Gjuhës Shqipe duhet të bëjë licencimin e përkthyesve sipas lëmive të veçantë.

“Tregu i përkthyesve është totalisht në kaos”, pohon Duraku, ndërsa kërkon që në rregullimin e kësaj çështje të venë dorë institucionet e shtetit. Qëndrime të ngjashme, sa i takon mungesës së mbështetjes institucionale nga ana e organeve shtetërore, ndan profesori universitar Qani Mehmeti.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button