Çohi te vdekun!

Jo, nuk është kushtrim për luftë! As për revolucion! As për protesta! Po ju kërkoj karkalecave të zgjohen nga hibernimi. I gjithë brezi… edhe atyre që në shkrimet e mia të përparme ju mvesha emrin “brezi i artë”. Cohuni o të vdekur, o të humbur! Na mbytën ekonomikisht, politikisht, socialisht… (e plot –ishta tjerë); tani duan të na marrin shpresën?! Shpresën, që e konsideroj si të drejtën time më private dhe më të shenjtë për të besuar në një të ardhme më të mirë?! Këtu ju them: STOP!

Po ku ka shpresë më të madhe për një komb sesa brezi i ri që duhet ta rrisë. Një brez i ri që duhet të falë mëkatet e brezit paraprak dhe të cilit do t’i duhet të punojë për të përmirësuar gabimet dhe gafet e tij. Medet për ne nëse brezin e ri e rrisim me melankolinë e të përhumburve dhe me (jo)ambicjet e karkalecave, në vend që të instalojmë në të dëshirën dhe ambicjen për të na tejkaluar. Medet për ne nëse këtij brezi të ri nuk arrijmë t’ia veshim dëshirën për të protestuar dhe për të kundërshtuar autoritetin. Pse e them këtë?! Po sepse këto janë karakteristikat e një kombi të fuqishëm, që synon përparimin dhe që arrin të krijojë sisteme vlerash të shëndosha. Sepse këto janë atributet që i kanë munguar brezit tim, brezit të karkalecave.

Një komb i tillë, një brez i tillë, formohet nëpërmjet një sistemi arsimor të shëndoshë dhe një konglomerati mësimdhënësish që dijnë të përcjellin vlera të tilla në nxënësit e tyre. Këta mësues duhet të marrin rolin e udhëzuesve të gjeneratave të reja, duke ju rrëfyer atyre gabimet e brezit të tyre dhe duke ju dhënë shembull me veprimet e tyre se si të përmirësojnë botën në të cilën ky brez i ri po rritet.

Pyetem vallë cfarë shembulli kanë marrë këto ditë nxënësit e rangjeve të ndryshme nga këta mësimdhënës, nga këta mbjellës ambicjesh dhe krijues brezash që u sprapsën pa filluar akoma protestën e tyre?! Cila ndjenjë rebelizmi ndaj autoritetit të gabuar dhe sistemeve të këqija është instaluar në brezin e ri?! Nëse arsimtarët nuk janë në gjendje të krijojnë kohezion rreth kërkesave të tyre legjitime për të përmirësuar kushtet e tyre të punës dhe për të kontestuar një sistem arsimor që në mendimin e tyre nuk është i pëlqyeshëm dhe këtë kohezion ta shprehin nëpërmjet të drejtës së tyre përsëri legjitime për grevë, si mund t’iu kërkohet këtyre fëmijëve që të tregohen më të mirë se arsimtarët e tyre në të ardhmen? Nëse mësimdhënësit tërhiqen nga kërkesat e tyre aq shpejt pa bërë asnjë atom luftë vetëm sepse u frikësuan nga një morri kërcënimesh absurde nga ana e shtetit, cfarë ambicjesh do të krijojnë ata fëmijë që ndjekin mësuesit e tyre?

(vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button