Sinjalet e xhelozisë së tepruar në marrëdhëniet në çift

Zbuloni se cilat janë sinjalet për të kuptuar nëse partneri apo partnerja është shumë, shumë xheloz/e dhe posesiv/e.

Nëse nuk jeni me të, ka nevojë që të dijë çdo lëvizje tuajën

Dëshiron të dijë me patjetër se ku jeni, në cilën orë keni vajtur, pse … dhe sidomos me kë! Ju pyet më shumë se një herë për të njëjtën gjë, duke u shtirur sikur nuk i kujtohet gjë, ndërkohë që në të vërtetë, ju vë në provë për të parë nëse do t’i jepni të njëjtën përgjigje.

Ndërhyn në vendimet e tua

Të gjitha vendimet që merrni në jetën tuaj, duhet të kalojnë edhe nën shqyrtimin e tij / saj! Nëse vendosni që të ndryshoni punën, degën e studimit, shtëpinë, të regjistroheni në palestër ose në një kurs pikture, ai / ajo dëshiron që të japë mendimin e tij / saj dhe pret me patjetër që ta merrni parasysh!

Ju telefonon shumë shpesh

Edhe pse telefonon shumë shpesh e gjen gjithmonë një justifikim. Mund të duket se dëshiron gjithmonë të flasë me ju, por në të vërtetë, është një lloj kontrolli, që në çdo fund bisede shoqërohet me pyetjet “çfarë po bën?” dhe “me kë je?”. Numri i herëve që ju telefonon rritet edhe më shumë, në qoftë se nuk jeni në shtëpi ose në punë ose kur nuk e di me saktësi se çfarë do të bëni gjatë ditës.

Dëshiron që të bëjë gjithçka me ju

Ai / ajo dëshiron që të qëndroni gjithnjë bashkë dhe nuk e sheh me sy të mirë momentin kur dilni dhe impenjoheni me shokët / shoqet pa prezencën e tij / saj. E konsideron tradhti faktin që ju argëtoheni pa praninë e tij / saj, ndërsa mendon se nuk është aspak normale që të dilni me miq / mikesha kur keni një partner / e.

Nuk i pëlqen ndryshimet

Nuk i pëlqen aspak të rejat dhe preferon që së bashku të bëni një jetë pa shumë ndryshime! Një ambient i ri mund të përfshijë praninë e personave të rinj rreth jush. Pra, ndryshimet për të paraqesin një kërcënim të vërtetë!

Përdor anën emotive

Nëse bëni projekte pa të, ka shumë mundësi që t’ju thotë se ndihet vetëm, i / e trishtuar, që është sëmurë dhe është nevrikosur për ndonjë arsye tjetër. Pra, përdor anën emotive për t’ju mbajtur gjithmonë pranë tij / saj dhe të gjejë mënyrën që ju të ndiheni në faj nëse largoheni. Nëse e “injoroni”, ana e tij / saj emocionale bëhet edhe më dominante, duke kaluar madje deri në vuajtjet ekstreme. Për shembull, i është dashur të shkojë në urgjencë, nuk ka fjetur përgjatë gjithë natës, nuk arrin që të ushqehet etj.

Gjykon mënyrën tuaj të të veshurit

Nuk ju sugjeron asnjëherë që të vishni rroba të cilat tregojnë ndonjë pjesë të trupit, si fustanet e shkurtra dhe dekoltetë (në rastin e femrave) apo këmishët pas trupit (në rastin e meshkujve). Në përgjithësi, nuk e thotë hapur se nuk dëshiron që të vishni diçka të caktuar, sepse tërheq shikimet e të gjithëve, por “mbulohet” duke ju thënë se nuk ju rri mirë, se është një veshje vulgare ose se ngjyra nuk ju shkon aspak.

Nuk e respekton privatësinë tuaj

Do gjithmonë që të dijë fjalëkalimin e email-it tuaj, merr celularin dhe i lexon të gjitha mesazhet pa asnjë problem, ndërsa e viziton shumë shpesh profilin tuaj në rrjetet sociale. Ose gjatë kohës kur jeni duke folur në telefon, kërkon që të afrohet për të dëgjuar gjithçka thuhet. Nëse nuk i lejoni këtë ndërhyrje në privatësi, ju akuzon se po e tradhtoni dhe mendon se po i fshihni diçka.

Miqtë e tu ju thonë se …

Kur flet për partnerin ose partneren tuaj, miqtë që të dëgjojnë në një farë mënyre ta bëjnë të ditur se diçka me të nuk shkon mirë, duke përdorur gjeste të ndryshme. Në fillim mendoni se gabojnë dhe se nuk duhet të gjykojnë pa e njohur, por do të bënit mirë që të qëndronit me këmbë në tokë, nëse ta thonë disa herë hapur se ai / ajo po kontrollon vazhdimisht jetën tuaj. Përndryshe, do të gënjenit veten.

Bota e tij / saj vërtitet rreth jush

Gjithë kohën e lirë dëshiron ta kalojë me ju, ndërsa ju kërkon vazhdimisht që të takoheni. Ka lënë mënjanë miqtë dhe të gjitha aktivitetet e tij / saj. Kërkon të zhvillojë te ju të njëjtën varësi që ai po përjeton.

Ju mban larg nga të tjerët

Nëse flet mirë për të tjerët apo shfaq admirimin tuaj, automatikisht reagon duke e përgojuar e kritikuar atë person. Nuk e duron dot faktin se e përqendroni vëmendjen te dikush tjetër, cilido qoftë ai apo ajo.

Thotë se ju kontrollon prej dashurisë

Nëse ia bën të ditur se disa veprime të tij / saj nuk ju duken normale, nuk e pranon asnjëherë gabimin që bën. Madje për çdo rast justifikohet, duke thënë se gjithçka e bën prej dashurisë që ndien për ju, për t’u kujdesur dhe për t’ju mbrojtur, duke ju thënë se ka frikë t’ju humbasë dhe se ju do shumë.

Lajme të ngjashme

Back to top button