Shqiptarët dhe çështja e emrit

Në serinë e dështimeve të proceseve eurointegruese të vendit kulminacioni padyshim arriti në samitin e fundit të BE-së. Në konkluzionet e samitit për vendet e Ballkanit, ku konstatohet progresi i arritur në rrugën drejt anëtarësimit, këtë rradhë Maqedonia as që u përmend fare. As u tha se është bërë apo s’është bërë sa duhet për reforma, as u përmend ndonjë rekomandim, inkurajim apo korigjim për punën deri tash dhe më tutje, as se duhet, nuk duhet apo kur duhet të ndryshohet emri. BE me Maqedoninë thjeshtë u soll si ndonjë prind i lodhur nga fëmija i mbrapshtë, që më në fund dorëzohet dhe e injoron fare. Fëmijës i është thënë e përsëritur qysh moti se ç‘duhet të bëjë dhe kjo s’ka pse t’i përsëritet deri në pafundësi. Prindi do t’i flasë vetëm kur ai ti kryejë detyrat që i janë dhënë.

Por e gjithë kjo në fund të fundit është edhe lajm i mirë, sepse të paktën ua tregoi realitetin edhe atyre që s’dinin (apo bëhen sikur s’dinë) se Maqedonia vërtetë s’ka bërë as edhe një hap të vetëm përpara që nga marrja e statusit të kandidatit. Tanimë është plotësisht e qartë se VMRO as e ka patur dhe as që e ka ndërmend të integrojë vendin në BE e NATO (përndryshe nuk do t’ia kishte lëshuar dy postet kyçe për integrime BDI-së).
Nëpërmjet mediumeve dhe intelektualëve të saj, e kohëve të fundit edhe në mënyrë direkte, ajo lëshon zëra se duhen kërkuar alternativa tjera. Me çështjen e emrit dhe identitetit ajo poashtu krijon alibi të fortë për këto politika te elektorati i saj, që edhe ashtu është i ndarë sa i përket dobisë së integrimeve. Por situata qëndron ndryshe te shqiptarët, sepse populli shqiptar, kudo që jeton, qysh moti e ka bërë përcaktimin e vet strategjik për të ardhmen e tij dhe pa hamendje është përcaktuar për integrim në BE dhe NATO. Andaj shtrohet pyetja logjike: ku janë shqiptarët në gjithë këtë lëmsh integrimesh të Maqedonisë, konkretisht me problemin e emrit dhe si po përballen elitat e tyre politike me këtë ngecje fatale të vendit? Për këtë përherë ka patur dy qasje, të dyja të gabuara.

Njërin variant, tani për tani të përfaqësuar nga opozita, më së miri e ilustron deklarata konfuze e liderit të opozitës shqiptare, kur tha se çështja e emrit është pikësëpari çështje e partive maqedonase. Deklarata e dhënë në këtë mënyrë në të vërtetë identifikon shumë mirë problemin, por i jep zgjidhje krejtësisht të gabuar. Fakt është se shqiptarët vetë nuk mund t’a ndërrojnë emrin e shtetit, sado që të shëtitet BDI nëpër botë dhe të lavdërohet me “arritjet” e veta në dikasteret për integrime. Zgjidhje nuk do të ketë përderisa këtë nuk e dakordon dhe zbaton VMRO-ja, apo eventualisht LSDM-ja nëse vjen deri te ndryshimi i pushtetit. E megjithatë, kjo nuk do të thotë se shqiptarët duhet të rrijnë anash dhe të presin derisa “maqedonasit të mbushen me mend”.

Varianti tjetër, qasje momentale e BDI-së, është plotësisht i kundërt me të parin. BDI tanimë po i mbush pesë vjet në pushtet duke marrë votat me premtime se do t’i integrojë shqiptarët në BE e NATO, e madje fjalën integrim e ka edhe në vetë emrin e partisë. Në vitin 2011 ajo poashtu morri nën drejtim dikasterin e mbrojtjes dhe eurointegrimeve, gjoja për të dhënë kontributin e vet për integrime. Si e tillë pra BDI mendon se shqiptarët kanë rol në zgjidhjen e problemit të emrit, e këtë e dëshmojnë edhe shëtitjet e shumta nëpër botë kinse për të gjetur zgjidhje. Mirëpo nga ana tjetër BDI nuk e kupton pjesën tjetër të problemit, pra se zgjidhje nuk do të ketë po nuk e bindi për këtë partnerin e vet të koalicionit. Ajo poashtu i ka gabuar rëndë adresat, sepse për emrin nuk është kyç as Uashingtoni, as Brukseli, e aq më pak Sofja. SHBA-ve thjeshtë nuk u intereson edhe aq nëse Maqedonia anëtarësohet sot ose pas dhjetë viteve, përderisa në Ballkan nuk ka konflikte të reja. Brukseli poashtu është adresë e gabuar sepse problemi i emrit është problem politik dhe jo burokratik; fjalën e fundit për anëtarësim e kanë shtetet anëtare, përballë së cilave strukturat e BE-së janë plotësisht të pafuqishme. Për peshën e Bullgarisë as që mendoj se duhet të flitet.

Në fakt adresa më e rëndësishme për zgjidhjen e problemit është Shkupi dhe VMRO-ja, e paradoksalisht mu aty BDI nuk bën kurfarë kërkese apo presioni. Deklaratat BDI i bën nga larg,  që t’a kujton atë fjalën e urtë popullore “t’i them, po inshalla s’më dëgjon”. Edhe kur bëhen në vend, deklaratat e BDI-së po ju ngjajnë gjithnjë e më tepër ultimatumeve të dajës, të stilit “po s’më dëgjove për gjashtë muaj, do të jap një ultimatum tjetër për gjashtë muaj tjerë”.
Kjo pra është politika shqiptare për problemin e emrit, jo vetëm sot, po qysh prej fillimit. Ajo lëkundet mes mosangazhimit dhe pafuqisë; o duke pranuar se varet nga partitë maqedonase dhe duke ndejtur anash, o duke gjetur rol për shqiptarët e duke mos patur fuqi e dijeni për të luajtur atë rol si duhet. Politika shqiptare, sidomos ajo e partisë në pushtet, asnjëherë nuk e ka pranuar alternativën e vetme të mirëfilltë, që do të thotë njëkohësisht edhe angazhim, edhe fuqi. Në këtë variant politika shqiptare do të pranonte se çelësi vërtetë gjendet te partitë maqedonase dhe se pa ta nuk mund të ketë zgjidhje për emrin.
Nga ana tjetër ajo poashtu do të kuptonte se ka fuqi që të bindë, e në fund të fundit edhe t’u bëjë presion atyre që të pranojnë një zgjidhje. Në vend të shëtitjeve nëpër botë, presioni duhet të bëhet këtu në Shkup, edhe atë jo pas gjashtë ose dymbëdhjetë muajsh, po sot. Këtu e pesë vjet BDI ka mundur t’ia bëjë të qartë VMRO-së se o do të pajtohet me ndryshim të emrit o do t’ia rrëzojë qeverinë; “o të bie në mend, o t’a bien shqiptarët në mend”. Të njëjtën ka mundur t’ia bëjë edhe PDSH-ja kur e kishte VMRO-në partner koalicioni. Por ose nga frika ose nga mosdija, këto kushtëzime nuk janë bërë asnjëherë. Si duket për këto punë duhen tjerë burra e tjetër politikë.

Të drejtat e publikimit në shqip i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button