Dimova: Gruevski mbartë fajin për humbjen e rekomandimit

Humbjen e rekomandimit për fillim e negociatave me Bashkimin Evropian, Gruevski mund t’ia faturojë vetëm vetvetes, dhe jo opozitës. Lidija Dimova nga Komisioni përeuro-integrime i LSDM-së vlerëson se për ngecjet në të gjitha sferat dhe mos përmbushjen e kërkesave të Brukselit, përgjegjëse është VMRO-ja dhe në situatë të tillë, partia në pushtet nuk mund të fshihet pas bojkotit opozitar të parlamentit, transmeton Alsat.

“Rreth mundësisë që Maqedonia të humb rekomandimin, Nikolla Gruevski duhet t’ia drejtojë gishtin vetëm vetvetes; për rënien prej 86 vendesh në lirinë e mediave, për gjykatat e politizuara, për mungesën e ndarjes së aktiviteteve të shtetit nga partia, për frikësimet dhe presionet ndaj administratës, për mungesën e kapaciteteve në Maqedoni për shmangien e parregullsive nga zgjedhjet”, deklaroi Lidija Dimova, kryetar e Këshillit për euro-integrime të LSDM-së.

Sipas Dimovës, deklaratat kundërthënëse të Ministrit të Jashtëm Nikolla Poposki dhe krye-parlamentarit Trajko Veljanovski rreth rekomandimit të Komisionit, shpjegojnë gjithashtu arsyet e dështimit të Maqedonisë në integrime. Teksa Poposki dje theksonte se bojkoti i opozitës rrezikon humbjen e rekomandimit të KE-së, kryetari i kuvendit Trajko Veljanovski në një deklaratë të dhënë pak kohë më parë theksonte se pavarësisht bojkotit të opozitës, Maqedonia edhe këtë vit do të marrë rekomandimin për fillimin e bisedimeve.

“E dini që më 8 tetor duhet të shpaloset Raporti i Komisionit Evropian i cili besoj se për të 6-tën herë me radhë do ta përfshijë rekomandimin për çeljen e negociatave me BE-në. Kështu që, nëse opozita nuk kthehet në Parlament dhe nëse e kushtëzojnë dialogun politik me gjëra absurde dhe kërkesa jodemokratike, sikurse qeveri teknike dhe zgjedhje të reja, unë do të thërrasë vazhdim të seancës ku në rend dite do të jenë dorëheqjet e deputetëve të LSDM-së”,  theksonte ndër të tjera Veljanovski.

Sipas LSDM-së, për dështimin e njërit nga kriteret bazë të Brukselit, dialogut politik, nuk është përgjegjëse opozita. Sipas LSDM-së, dialogu politik nuk nënkupton vetëm pjesëmarrje në Parlament, por përfshirje në miratimin e politikave dhe buxhetit, dhe jo funksionimin e Parlamentit si makineri votimi.

Lajme të ngjashme

Back to top button