Besimi në konferencën “Kapitull i ri për integrimet e Shqipërisë në BE”

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Fatmir Besimi mori pjesë në konferencën “Kapitull i ri për integrimet e Shqipërisë në BE-në e ndryshueshme: Sfidat pas marrjes së statusit kandidat dhe politikat e zgjerimit nën presidencën italiane”, zhvilluar në Tiranë.

Në fjalën e tij, Besimi theksoi se integrimet në Bashkimin Evropian janë prioritet kyç për çdo vend të Ballkanit Perëndimor, jo vetëm për arsye se vendet tona janë gjeografikisht pjesë e Evropës por edhe për shkak se Evropa luan rol të rëndësishëm dhe mbështet vendet tona në reformat që i zbatojmë, në transformimin e shoqërive tona, në përforcimin e vlerave demokratike dhe zhvillimin ekonomik, duke pas parasysh se vendet tona ballafaqohen me shumë sfida në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës.

Besimi shtoi se marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore janë me domethënie thelbësore për sigurimin e progresit për aderim në BE dhe prandaj Maqedonia është e përkushtuar në përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve me vendet fqinje, si dhe në thellimin e bashkëpunimit me vendet e rajonit.

“Bashkëpunimi rajonal është me domethënie vitale dhe luan rol të rëndësishëm në përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për aderim në BE”, tha Besimi.

Mes të tjerash, ai theksoi se me vlerat autentike dhe të përbashkëta që i kanë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe me promovimin e tyre, mundemi më mirë t’i prezantojmë interesat tona politike dhe ekonomike, në vendet e Bashkimit Evropian. Mundësitë dhe përfitimet nga bashkëpunimi i ndërsjellë, përparësitë nga pozicionimi gjeografik dhe lidhjet infrastrukturore, ekonomia komparative dhe karakteristikat natyrore të këtyre vendeve, e bëjnë të domosdoshëm bashkëpunimin mes vendeve të rajonit.

Lajme të ngjashme

Back to top button