fbpx

Thaçi në “The Guardian”: Kosova nuk është strehë e islamizmit radikal

Kryeministri i vendit Hashim Thaçi në një editorial të botuar në gazetën prestigjioze “The Guardian”, ka thënë se Kosova e mbështet plotësisht luftën e SHBA-ve me aleatë kundër ISIS.

Ai ka thënë se Kosova e pavarur dhe e lirë është rezultat i luftimit të së keqes dhe ne jemi të parët që duhet përkrahur luftën kundër të keqes.

Shkrimi i plotë i Thaçit i botuar në “The Guardian”: Pesëmbëdhjetë vjet më parë, shtetet prijëse demokratike të botës ndërhynë kundër forcave serbe të diktatorit Sllobodan Millosheviq për të ndaluar atë në përpjekjet e tij për t’i zhdukur shqiptarët e Kosovës
dhe pakicat e tjera nga atdheu i stërgjyshërve të tyre. Gjatë kohës së regjimit terrorist në vitet 1998-1999, por edhe gjatë viteve të shtypjes politike që i parapriu luftës, Serbia vrau mbi 12.000 njerëz.

Njëzet mijë gra u përdhunuan, ndërsa mbi një milion banorë u pastruan etnikisht nga shtëpitë e tyre. Në mars të vitit 1999, NATO, e udhëhequr nga SHBA dhe aleatët evropianë, ndërhyri ushtarakisht dhe i dha fund luftës, që nënkuptonte se populli i Kosovës më në fund do të shijonte lirinë aq të merituar.

Kam ndjekur me interes përmendjen e Kosovës në mediet ndërkombëtare në vitet e fundit. Nga ndërhyrja në Irak dhe Afganistan, e deri në Libi dhe Siri, rasti i Kosovës është përdorur qoftë për të mbrojtur apo sulmuar rendin e sotëm botëror.

Disa prej këtyre zërave përshkruajnë Kosovën si një projekt të dështuar të “intervencionizmit neo-liberal”. Zakonisht, e djathta dhe e majta ekstreme e peizazhit politik global orvaten të përdorin copëza të lajmeve nga Kosova për të vërtetuar pretendimet e tyre politike.

Sulmet e fundit ndaj vendit tim vijnë nga ata që pretendojnë se Kosova po bëhet një strehë për islamizmin radikal dhe një burim për eksportimin e luftëtarëve të huaj në Irak dhe Siri.

Këto pretendime janë larg nga e vërteta. Qeveria e Republikës së Kosovës po ndërmerr veprime vendimtare për të ndaluar valën e të rinjve, të cilët jo rrallëherë vijnë nga komunitetet e margjinalizuara, që shkojnë për të luftuar në Irak dhe Siri. Ne kemi miratuar një ligj që ndalon pjesëmarrjen në luftëra të huaja. Në dy veprime të ndara të policisë, ne kemi arrestuar 45 militantë të dyshuar, si dhe disa imamë që sponsorizojnë dhe përkrahin ekstremistët.

Kosova është një vend ku shumica e popullsisë deklarojnë veten të jenë myslimanë. Por, kosovarët hedhin poshtë në tërësi dogmën fetare të rrymave radikale të Islamit politik dhe ne nuk do të lejojmë asnjëherë që rrymat e tilla të rrezikojnë rrugën tonë drejt anëtarësimit tonë në NATO dhe BE. Ne do t’i shkatërrojmë të çdo celulë që beson, në mënyrë të gabueshme, që mund gjejë mbështetje në Kosovë.

Ashtu si ish-ushtria ime guerile e UÇK-së pati hedhur poshtë oferta nga vullnetarë xhihadistë në luftën e vitit 1999, edhe sot ne e refuzojmë të keqen e re që buron nga ISIS dhe grupe të ngjashme në Lindjen e Mesme.

Kosova është gjithashtu një nga shtetet më pro-amerikane në planet, thotë Thaçi.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close