Gruevski në modelin e Cezarit, cirk për popullin

Cirku publik që ndodh këto ditë në Maqedoni, duke dënuar me burg dy politikanët Ljube Boshkovskin dhe Vllado Buçkovskin, procesi i lustrimit të akademikëve maqedonas, arrestimi i Pasko Kuzman dhe investimet e Subrata Roy-t , të gjitha këta ndodhi me sukses po e tërheqin vëmendjen e popullatës nga problemet reale të qytetareve: varfëria, papunësia dhe dështimi në euro-integrimet. Kështu mendojnë njohësit e rrethanave politike të cilët theksojnë se kjo Qeveri me sukses vite me radhë po arrin t’ia del nga situata sa herë që Maqedonia pëson fiasko në planin integrues duke e hequr nga rendi i ditës atë me aksione të mëdha policore, paralajmërime për zgjedhje apo ndonjë aferë ad-hoc.

“Një tendencë për të mbajtur në tension popullatën dhe për ta defokusuar atë për dështimet jo vetëm në procesin e euro-integrimeve por çka është më me rëndësi është shtimi alarmant i vobektësisë. Qytetarët realisht janë më të vobektë si që e tregojnë dhe statistikat e institucioneve relevante. Kjo që bëhet është me qëllim që tu tërhiqet vëmendja qytetarëve nga problemet reale dhe u lihet atyre të merren me punë të mëdha” thotë për Portalb, analisti Albert Musliu.

Me investuesin indian Roy jepet shpresë për investime të mëdha duke minimizuar kështu para popullit efektet e papunësisë, thekson ai. 

Thënia e Cezarit, që të sundosh i qetë jepi popullit cirk dhe bukë, është model i qeverisjes së këtij pushteti, është i mendimit Xhelal Neziri, duke mbajtur kështu popullin “në pëllëmbë”.

“Kjo qeveri vazhdon të funksionoje sipas thënies së Cezarit: që të sundosh i qetë jepi popullit cirk dhe bukë. Këtë e bën edhe kryeministri duke i bishtnuar me sukses prioritetit kyç për vendin – integrimi në strukturat euro-atlantike. Kjo qeveri, si asnjëra më parë, kontrollon me përpikshmëri agjendën e opinionit publik apo temat që duhet të jenë prioritare. Kështu që shpesh ndodh që ato tema të imponuara në opinion të jenë triviale, por qe me sukses eliminojnë nga lista temat qe janë jetike për opinionin siç janë kontesti i emrit, integrimet, papunësia, varfëria dhe mirëqenia sociale” thekson për Portalb, Neziri.

Kryeministri Nikolla Gruevski deklaroi se nëse ka ndonjë moment të ri, do të ketë zgjedhje të parakohshme duke mos potencuar se çfarë do të thotë ky moment. 

Për Musliun, aktualisht nuk ka atmosferë për zgjedhje sepse thjeshtë, asgjë nuk do të ndryshonte.

“Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të shpallen pa pasur shumicë, BDI tha që nuk është për këtë opsion, kështu që mundësitë janë minimale. Subjektet politike do të inkurajohen nga faktori ndërkombëtar që mos organizojnë të tilla sepse realisht asgjë nuk mund të ndryshojë, do të ketë lëvizje të numrit të deputetëve por jo dhe diçka në plan më të madh apo në plan të euro-integrimeve” përfundon Musliu. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button