Bashkëbisedim i imagjinuar me një luftëtar

Duke lexuar librin më të ri të autorit kumanovar, profesorit të historisë Minir Ademit, të titulluar: « Komandant Sllupçani », kushtuar dëshmorit nga fshati me po të njëjtin emër, Beqir Sadikut, më kaploi një ndjenjë e papërshkruar, ndjenjë kjo që nuk mund të shpjegohet me fjalë. Ndjenjë kjo e cila më inkurajon dhe më dëshmon se sado që të shtiremi se jemi ndokush, përpara dëshmorëve jemi askush. Kjo ndjenjë krenarie me kësi lloj trimash si puna e Beqir Sadikut, shoqërohet në të njëjtën kohë me një ndjenjë pezmi dhe mllefi, ngase pikërisht kur analizon idealin e një luftëtari si puna e tij dhe kur krahason me rezultatet në realitetin e hidhur, zhytesh në morozitet dhe në pesimizëm të pakthyeshëm.

Autori i librit duke e përshkruar me një elokuencë të pashoq trimërinë e këtij luftëtari të tri ushtrive tashmë të demobolizuara, ka dhënë detaje të hollësishme nga bashkëluftëtarët e tij, familjarët dhe ata që e kanë njohur këtë trim. Për këtë nuk kam çka të shtoj, ngase as lavdi e as stërglorifikimi për luftëtarët e tillë si puna e Beqir Sadikut, nuk bëjnë punë, krejt kjo ngase ai dhe bashkëluftëtarët si ai, shpresoj të jenë nën hijen dhe përkujdesjen e Zotit Fuqiplotë, Atij që është i saktë dhe i drejtë në përllogaritje.

Mirëpo, pas përfundimit të librit nuk mund të mos rrish i papërcjellur nga ndjenja e dëshpërimit. Po shtrohet pyetja me kë? Me realitetin e hidhur, sigurisht. Me këtë realitet që na e shërbeu shpura parapolitike. Kjo shpullë, më falni kjo shpurë është ende në fazën fillestare të parapolitikës.  Kjo shpurë e cila nuk la send pa degraduar skajshmërisht, nuk la asgjë të mirë pa prishur, ende vazhdon të krekoset se ka çliruar kombin. Po për çfarë çlirimi flasin, vetëm Zoti e din, e deri diku edhe ne që po e përjetomë.

Ah sikur të zgjoheshin luftëtarët e vërtetë e të shihnin se kush qeveris, kush drejton me fatin e shqiptarëve, kush flet në emër të tyre, kush i vendos kurora lulesh, kush manipulon me familjet e tyre?! Garibaldi sot bashkoi Italinë, por të nesërmen ju kthye punës së fushës pjellore. E te ne, « Garibaldët » tanë që nuk bashkuan asgjë, u instaluan në qeveri e nuk i çrrënjos askush. Nuk del « bir nane ». Janë të pathyeshëm, por as vetë nuk e dinë se janë lehtë të thyeshëm. Përpara shqiptarëve. Përpara gazetave dhe mediumeve kritike shqiptare. Përpara intelektualëve të paktë që kritikojnë për këtë realitet të hidhur. Ndërsa zbuten kur Gruevski i kërcënon. Bëhen lepuroshë. Nuk bëzajnë. Pse të bëzajnë. Ndonëse zëri u është shterur duke premtuar gjëra shterpe!  Si t`i lënë sekretareshat, tenderat, diplomat e fakulteteve, masterat, pse jo edhe doktoraturat?

Eh more i nderuar luftëtarë. Edhe pse je në botën e përtejme, atje ku e vërteta dallon prej gënjeshtrës, vallë a të ka shkuar në mendje, se familja jote vizitohet vetëm përpara zgjedhjeve. A të ka shkuar në mendje se familja jote pret sa e sa vite një ndihmë materiale. Besa mos me qenë zemërgjerët dhe bamirësit, ndoshta nuk kanë se me çka të mbushin barkun. A të ka shkuar në mendje se shpura qeverisëse, me ministrat dhe deputetët e saj, janë pasuruar as shumë saqë nuk shohin fundin e kësaj pasurie nga madhësia e barkut të tyre. Madhësi kjo e fituar nga shtruarja e tavolinave suedeze dhe restoranteve pa fund, madhësi kjo e fituar nga zvogëlimi i shqiptarizmit, idealit për të cilin ti nuk je më në këtë mes. A të ka shkuar në mendje se ambasadorë do të bëhen njerëzit më të dyshimtë, të martuar me sllave. A të ka shkuar në mendje se vendet ku ke luftuar ti, janë edhe sot e kësaj dite strumbullari i mjerimit. Ende nuk ka as kanalizime të mirëfillta, as ujësjellës, në shek 21. Të mos flasim më për kushte ekonomike të larta. As që imagjinohen. Buxheti i këtij shteti nuk njeh ato zona ku ti luftove. Edhe pse ke deputet nga ajo zonë, i cili gënjen pa fije turpi, e shprehet se ka ujësjellës. Urra, kemi ujësjellës, kemi kanalizime. Kemi asfalt, kemi shkolla, universitete, kemi polic, kemi administratorë, kemi xhamia, kemi kisha, kemi e çka nuk, i kemi të gjitha, mbase kemi burgje, 85 % përplot shqiptare.  Urra, kemi ekstremistë, kemi ideologë marksistë që arsyetojnë pyllëzimin e Shkupit me përmendore, kemi po çka nuk kemi se? I kemi te gjitha. Edhe pse i “kemi” të gjitha, jemi sankilotë. (Nga frëngjishtja sans culote – pa brekë). Edhe ato të grisura që i patëm na i zhveshën.
Hm! Me sa duket po na vjen mirë.

I nderuar luftëtarë, të ka shkuar në mendje se kush vjen e të viziton dhe vendos kurora me lule. Shërbëtorët e djallit, ata që i shërbyen JNA-së, ARM-së, po besa edhe ushtrisë së cilës i shërbeve edhe ti, por jo me të njëjtin qëllim si tëndin. Por me qëllimin tjetër. Atë të informatorit, uzurpatorit dhe bashkëpunëtorit. Të ka shkuar në mendje se shqiptarët janë më keq se në komunizëm, edhe pse teksa gjendeshin në komunizëm thoshin se nuk ka si të bëhet më ma keq. Po, po, them me përgjegjësinë më të madhe. Atëherë kur pushteti mbyllte shkollat, na forconte indin kombëtar dhe dëshirën e zellin për punë më shumë. Tani e ka gjetur çelësin magjik. Jepu shqiptarëve çdo gjë si individ, por asgjë si komb. Jepu shkolla, diploma, mastera, doktoratura, me para, me shërbime të ndryshme, me shërbime besa edhe në krevat falas, jepu tituj, bëri profesorë universitarë, asistentë, lektorë, dreqi e di se çka jo tjetër, dërgoi më të paditurit, më të palexuarit në këto institucione, shndërroi shqiptarët polic në blerës byrekësh e gjevrekësh, ndërsa administratorët e përgjumur lëri në hibernacionin e tyre. Punëso prostitutat politike, (ç)eduko breza me to. Dërgo profesor e profesoresha me tituj të dyshimtë të cilët flasin për biznese, makiazhe, makiato, e assesi për libra e dituri. Vaj halli, vaj medet. O Zot na mundëso që t’ia dimë rëndësinë drejtësisë dhe diturisë.

I nderuar luftëtarë i lirisë. E din ti se nuk kanë mbetur më luftëtarë. I kanë vrarë të gjithë. Po, po. Të gjithë. Harunin me shokë e likuiduan. Hesht! Ridvanin po se po. Me qindra veta janë vrarë pas konfliktit të 2001. I qetësuam. Hesht se mirë është puna. Disa i kemi në burg. Rexhaili me shokë. 12 me burgim të përjetshëm. 130 të tjerë në burgje me shumë vite. Hapim burgje për çdo ditë. I mbushim ato me shqiptarë me shumicë. Falas. Me ngrënë me pirë ka me bollëk aty. Ja i rehabilituam. Disa i vranë duke qenë të gjallë dhe i burgosën në burgun e madh të këtij shteti. Ai është vetë shteti!

I nderuar luftëtarë. Monstra u tha dhe sakaq u bë. Monstrumët as nuk çanë kokën për asgjë. I qetësuan protestuesit fatzinj. Profiterëve politik, prostitutave iu mbyllën mundësinë për përfitim të poenave politik. Prostitutave që legjitimuan këtë kakistokraci, këtë të keqe.

I nderuar luftëtarë, komandantët e tu ju kanë harruar. Ata as që ju kanë kujtuar ndonjëherë, por fjala vjen, fjala bre fjala! Kanë bërë para, euro, xhipa, syza, pushime në det, shtëpiza, pushimore, banesa, gjithçka. Ej, po shkojnë edhe nëpër xhamia disa prej tyre. Edhe atë në safin e  parë. Mu te hoxha. Nuk po munden se dalin edhe para hoxhës. Atyre nuk i bëhet vonë të shkojnë edhe te prifti. Ndezin qirinj. Bekojnë kryeministrin. Lusin Zotin për jetëgjatësi të kësaj “të mire”. Ditën kokën në xhami, natën prapanicën në polici, apo në kurvëri. Ndërsa kryeideologu i tyre në mes të Shkupit “ekstremist” len si qeni çdo ditë, në misionin e tij antishqiptar të filluar që moti. E ka misionin  shkëlqyer. Ka mësuar të flet edhe arabisht, paçka se as shkronjat nuk i dinë. Të bëjë çmitizimin e të Dërguarit (Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të). Ndërsa ndjekësit e tij thonë edhe shahadetin në xhami. Ec e kuptoi bre.

E ky kryeideologu nuk ka punë tjetër. E bën punën e atij lehësit tjetër nga Shqipëria, të cilit as emrin nuk dua t`ia përmend që të mos ndyj pastërtinë time.

I nderuar luftëtarë, kemi shpikur edhe ekstremizmin. Po, po, kemi ekstremizëm islam,  apo islamik. Nuk bëjnë dallim injorantët.  Në mes të Shkupit ofendohen shqiptarët, myslimanët, e këta as zë nuk bëjnë. Sikur të kishte ekstremizëm këta vrasësit me pagesë në publicistikën shqiptare me misione çmitizimi që moti s`do të lehnin. Do t’i shihnim nëpër gazeta, por jo si autor, as si dëshmor, por figura që përkujtohen për së vdekuri. Ofendohen myslimanët, sepse përmes ofendimit të tyre duan t`ia zhveshin njerëzinë dhe shqiptarinë. Islami sulmohet ngase duan përmes sulmit ndaj Islamit ta sulmojnë moralin dhe shqiptarinë, helbet edhe dikujt t’ia bëjnë qejfin. Edhe atë pak njerëzi dhe shqiptari që ka mbetur.

I nderuar luftëtarë,  ushtarët që poashtu ishin të shumtë, disa i punësuan, disave u dhanë diploma, disa i shpërblejnë me ndonjë honorar apo darkë. Disa janë në listën e pritjes për shërbime të tjera. Ka kohë, rrezik nuk ka. Do të sundojnë pafundësisht. I vjen dita edhe atyre. Po për luftëtarët nuk do të ketë asgjë. Krejt kjo ngase luftën e bëjnë idealistët, e përfitojnë maskarenjtë. Deri kur kështu? Deri atëherë kur nuk do t`i çmojmë dhe votojmë më ata që nuk i kuptojmë. Ata që po na nënçmojnë. Që po na nxijnë. Dhe poshtërojnë. Deri atëherë kur rëndë do t`i dënojmë. Po po. Bile edhe ti fusim në grila. Keqpërdoruesit e popullit vendin e kanë në burg. Por me gjykata të pakorruptuara dhe me njerëz të shëndoshë. E jo me monstra. E as me servila.

Zoti i pranoftë gjithë dëshmorët në mëshirën e Tij. Komandantë dhe ushtarë kishim,  dhe  kemi ende me bollëk. Por, fatkeqësisht të pavlefshëm. Profiterë, hajna dhe të ligë.

(Autori është përkthyes dhe profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, si dhe opinionist dhe kolumnist)

Lajme të ngjashme

Back to top button