ITSHKSH, konferencë për sfidat e trashëgimisë kulturore në Maqedoni

Sot Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, zhvilloi punimet konferenca shkencore: “Sfidat e trashëgimisë kulturore në Maqedoni”. Konferencën e shpalli të hapur drejtori Skender Asani, i cili theksoi se detyrë parësore e institucioneve të këtilla shkencore, është ruajtja dhe valorizimi i trashëgimisë tonë kulturore. “Përmes këtyre tubimeve shkencore, po dëshmohet se studiuesit tanë dhe vetë ky institucion, është etabluar si institucion i mirëfilltë shkencor, i cili edhe në të ardhmen do të vazhdojë të realizojë projekte të tilla në vend dhe jashtë”, theksoi Asani.

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës i RM-së, Behixhudin Shehapi, tha se përparimi i kulturave i të gjitha bashkësive që jetojnë në Maqedoni mbetet imperativi ynë, nga fakti se të gjithë së bashku japim kontribut të paçmueshëm ndaj thesarit të pasur kulturor, me të cilin njihet vendi ynë në mbarë botën. “Trashëgimia e gjithmbarshme e palëkundshme kulturore në RM paraqet një bazë e mirë për përparimin e karakterit multikulturor të përditshmërisë dhe rrethimit tonë, si dhe luajtjen e rolit të rëndësishëm për kapërcimin e zbrazëtirave mes njerëzve”, theksoi Shehapi.

Më tej, në dy sesionet e konferencës, u paraqitën 19 kumtesa, konkretisht: Fatmir Sulejmani: “Trashëgimia e margjinalizuar kulturore”; Naim Halimi: “Trashëgimia kulturore e shqiptarëve në Maqedoni, pasuri e rajonit dhe Evropës”; Mixhait Pollozhani: “Mendimi kritik dhe vetëdijesimi mbi trashëgiminë kulturore”; Skender Asani: “Trashëgimia islame midis dy luftërave botërore-mbrojtja dhe ruajtja e saj”; Qemal Murati: “Gjuha është një trashëgimi”; Zeqirja Neziri: “Mbijetoja të eposit heroik shqiptar në Maqedoni (në shembullin e lahutarit Kadri Zymeri)”; Hamit Xhaferi: “Ekzistenca dhe shfaqja e parimit të zbukurimit në ciklin e këngëve të kreshnikëve në trevën e Kërçovës”; Nebi Dervishi: “Muzeu i Etnokulturës në Livadhi të Strugës”; Sevdail Demiri: “Shtypi shqiptar në Maqedoni, si trashëgimi kulturore”; Bukurije Mustafa: “Lojërat popullore -një trashëgimi e harruar”: Izaim Murtezani: “Karnavali i Bozovcës (mes zhdukjes dhe institucionalizimit të tij)”; Bexhet Asani: “Një mbishkrim i lashtë në unazë”; Afrim Rexhepi: “Estetika e iso polifonisë”;  Hidajete Azizi: “Identiteti kombëtar dhe fetar në procesin e emërvënies”; Rini Useini: “Mbi kujtesën apo ngulmin – manifestimi i sotëm i veshjes popullore”;  Afet Jashari: ‘’Pehlivanllëku si vlerë e  trashëgimisë kulturore në Maqedoni”;  Arlind Farizi: “Kontributi i letërsisë për ruajtjen e trashëgimisë – simboli mitik i gjarprit te ‘Lulet e ftohta të marsit’ të Ismail Kadaresë”; dhe Sefer Tahiri: “Projekti ‘Shkupi 2014’ midis politikës dhe kulturës”.

Në fund, koordinatori i konferencës, Sefer Tahiri, në rezymenë e tij tha se: “Duke evidentuar se llojet e ndryshme të trashëgimisë janë të cenuara seriozisht, kërkojmë që të gjitha institucionet e shtetit në bazë të rregullativës normative-juridike, të përkujdesen dhe të kenë qasje më serioze ndaj etnokulturës shqiptare, me qëllim që trashëgimia kulturore kombëtare të ruhet në gjendjen e saj burimore. Shteti ka për detyrë të mbrojë trashëgiminë kulturore në të gjithë territorin e tij, pa marrë parasysh ngjyrimin e saj etnik”.

Të gjitha punimet e kësaj konference do të botohen në një nga numrat e ardhshëm të revistës “Scupi.”

Lajme të ngjashme

Back to top button