Adelina e kënaqur nga sezoni veror

Këngëtarja e njohur Adelina Berisha edhe pse në përfundim të sezonit verorë ka bërë të ditur se është duke punuar në një këngë të re. Ajo në një bisedë për gazetën Tribuna ka treguar se është në proces të punës për risi, ndërsa ka theksuar se koncertet e saj ende po vazhdojnë.

Është padyshim njëra ndër emrat më të përmendur të skenës sonë. Përveç këngëve të shumta të cilat tashmë janë shndërruar në hite, këngëtarja Adelina Berisha nuk ndalet duke befasuar publikun e vet. Ndonëse këtë sezon erdhi me dy këngë të reja të cilat u pritën jashtë mase mirë nga publiku, Adelina tregon se i është përveshur punës që të vijë me risi. Ajo në një bisedë për gazetën Tribuna ka treguar se është duke punuar në një këngë të re. “Jam duke punuar në një këngë të re. Këngë do të publikohet gjatë muajit nëntor besoj. Nuk do të doja të zbuloja shumë rreth këngës pasi që ende jam në proces të punës”, ka thënë Adelina në fillim të bisedës, duke shtuar se kjo këngë do të jetë e plotësuar edhe me videoklip. “Mund të ju tregoj vetëm se këngës do t’ia bashkëngjis edhe videoklipin, detajet tjera do i zbuloj kur të vijë koha”, ka thënë njëra ndër femrat më seksi të skenës sonë.

Publiku më jep forcë që të punoj edhe më shumë’

Ndërkaq Adelina e cila këtë sezon erdh me dy këngë të reja tregon se është shumë e kënaqur nga këto dy projekte, ndërsa shton se edhe sezoni veror për te ka kaluar shumë mirë. Koncertet e shumta e pritja e mirë që i ka bërë publiku ngado, Adelinës i japin forcë për të vazhduar edhe më shumë. Kështu të paktën tregon vetë këngëtarja. “Jam ndarë shumë e kënaqur nga mbështetja e publikut që më ka bërë në të dy projektet e mija gjatë këtij sezonit. Edhe me mbrëmje muzikore kam qenë gjatë gjithë kohës e angazhuar. E bukura është që publiku im më ka pritur shumë mirë, ata më japin forcë që të vazhdoj më shumë e të vijë gjithmonë e freskët e me këngë të reja”, ka thënë Adelina, e cila tregon tutje se koncertet për te nuk kanë mbaruar. “Koncertet e sezonit verorë tashmë kanë mbaruar. Kam pushuar disa ditë, ndërsa tani po filloj të bëhem gati për koncertet tjera që i kam jashtë shtetit, por edhe vende tjera shqipfolëse”, ka thënë Berisha.

Ndërkaq kur flitet për te nuk mund të lihet anash edhe dukja e saj e cila shumë kë lë pa frymë. Ndonëse shumë shpesh është cilësuar si një ndër më të bukurat e skenës sonë, Adelina tregon se nuk bën shumë palestër. “Nuk është që jam e fiksuar pas palestrës. Mundohem të jem e rregullt në ushqim dhe vetes i kushtoj vëmendje aq sa do të duhej çdo vajzë. Për mendimin tim secila vajzë duhet t’i kushtoj vetes pak kohë për t’u dukur bukur, pavarësisht a është fytyrë publike apo jo. Kuptohet që ekrani kërkon më shumë rregullim, mirëpo gjatë ditës, unë mundohem të jem sa më e thjesht dhe të ndihem komotë”, tregon Adelina në fund të bisedës.(Tribuna)

Lajme të ngjashme

Back to top button