Argjend Beqiri kryetar i LFK Gostivar

Lidhja Futbollistike Komunale në Gostivar mbajti mbledhje të jashtëzakonshme, pasi kryetari i deritanishëm Zejdi Saliu dha dorëheqje të parevokueshme nga ky post për arsye shëndetësore. Saliu shkurtimisht para delegatëve dhe përfaqësuesve të FFM-së, raportoi për gjendjen në të cilën gjendet Lidhja Futbollistike e Gostivarit, duke theksuar se janë bërë të gjitha përgatitjet që sa më shpejtë të nisin garat komunale. Ai gjithashtu shprehu pakënaqësinë se pse Gostivari nuk përfaqësohet në instancat më të larta të FFM-së.

Delegatët e pranishëm pasi verifikuan edhe dy anëtarët e ri të LFKG-së, KF Besën e Dobërdollit dhe Proleterin e Tumçevishtit, unanimisht më pas votuan edhe për kryetarin e ri të Lidhjes Futbollistike Komunale në Gostivar, ku u zgjodh legjenda e futbollit në Maqedoni, Argjend Beqiri i cili erdhi si propozim nga Klubi i Futbollit Gostivari.

“Në të ardhmen bashkërisht do punojmë që ti rregullojmë disa probleme që i kemi, ndërsa punët e mira do vazhdojmë ti ecim ashtu siç janë filluar. Do jem në bashkëpunim të vazhdueshëm me Federatën e Futbollit të Maqedonisë për të mirën e Lidhjes Futbollistike tonë”, tha Argjent Beqiri, kryetar i LFKG. Beqiri në postin e kryetarit do të jetë deri në prill të vitit 2017.

Të pranishëm në kuvendin e jashtëzakonshëm të Lidhjes Futbollisitke Komunale në Gostivar, ishin edhe Sekretari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Dimitar Zisovski, zëvendëssekretari Enver Sulejmani, Shefi i Kabinetit të kryetarit të Komunës së Gostivarit, Bashkim Hasani dhe drejtori i KF Gostivarit, Durmish Beluli. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button