fbpx

Të akuzuarit e Monstrës në grevë, nuk u lejohet vizita e familjarëve!

Familjarët e të akuzuarve për rastin Monstra, nuk dinë se ç’po ndodh me grevën e urisë si dhe nuk janë të njoftuar për shëndetin e grevistëve.

Bedri Ajdari, vëllai i Fejzi Azirit, bën të ditur se nuk dinë gjë për familjarët e tyre për shkak se gjykata nuk u lejon atyre vizitë të çrregullt.

“Disa herë për arsye të shumta kemi kërkuar leje për vizitë të çrregullt por gjykata na ka mohuar këtë të drejtë. Vullneti i gjykatës tani më është bërë i ditur që është kundër vizitës së çrregullt për ndonjë festë apo ndonjë rast urgjent siç është kjo e grevës”, tha për Portalb, Ajdari.

Ai shtoi se nuk janë të informuar as për gjendjen e tyre shëndetësore si dhe a janë vizituar nga ndonjë mjek.

Ka kaluar më shumë se një javë dhe ne ende nuk e dimë se si është gjendja e familjarëve tonë në grevë, nuk kemi as informacion se a janë vizituar nga ndonjë mjek. Të mërkurën e kemi të caktuar vizitën dhe do të shohim se si janë”, tha Ajdari.

Aktvendimi do të shpallet të mërkurën

Avokati mbrojtës, Naser Raufi bën të ditur se të mërkurën do të shpallet aktvendimi i cili do të ndërpret grevën dhe do të fillon procesi për ankesë në gjykatën e Apelit.

“Kuptova qe aktvendimi do të shpallet të mërkurën dhe shpresoj që kjo të jetë e vërtetë me qëllim që të ndërpritet greva dhe menjëherë të fillojnë punimet për paraqitjen e ankesës drejt gjykatës së Apelit”, tha për Portalb, Raufi.

Ai shtoi se është optimist lidhur me ankesën, pasi që në këtë rast lëndën do ta shqyrtojnë pesë gjykatës me përvojë punë dhe do të jetë proces transparent.

“Jam optimist dhe besoj se gjykatësit do të qeshin me aktvendimin qesharak që kanë përgatitur. Procesi do të jetë transparent dhe të gjitha dëshmitë dhe akuzat do të thuhen publikisht dhe në këtë rast besoj që të akuzuarit do të shpallen të pafajshëm”, shtoi Raufi.

Ndërkaq kohë më parë edhe Ministri i Drejtësisë Adnan Jashari ka kërkuar që të merren parasysh faktet dhe provat rreth rastit “Monstra” dhe ata të bëhen transparente apo publike për opininin e gjerë.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close