Incident në prani të Fyles

Bojkoti parlamentar i opozitës ka zënë kohën më të madhe dhe fokusin më të gjërë në tryezën e dialogut të nivelit të lartë Shqipëri – Bashkimi Europian, ku Partia Demokratike paraqiti disa kërkesa si kushte për hyrjen në parlament, të cilat kishin të bënin kryesisht me hetimin parlament. 

Në prani të Komisionerit të Zgjerimit Stefan Fyle është riprodhuar sërish skena e debatit politik mes palëve, madje ku nuk kanë munguar as tonet tej normales, si ai mes demokratit Arben  Ristani dhe Kryeministrit Rama.

Kur ky i fundit ka shprehur gadishmërinë e ngritjes së Komisionit Hetimor për të shkuarën e deputëve apo punonjësve të administratës, duke theksuar se kjo do të bëhet pa shkelur Kushtetutën dhe liritë e të drejtat e njeriut, duke shtuar se në këtë pikë duhet të jetë dakort dhe deputeti demokrat si jurist dhe gjithashtu si ish i dënuar nga gjykata me disa muaj burg, ka reaguar Arben Ristani. Duke deklaruar se është pikërisht kjo gjuhë e Kryeministrit shkaku i largimit të opozitës nga parlamenti, ai e ka quajtuar Ramën një “kryeministër rrugaç”.

Fyle: Debati politik, jo në rrugë  

Por pavarësisht kapërcimit të tonit normal, Komisioneri për Zgjerimin Stefan fyle, e ka konsideruar këtë tryezë dritaren e mundësisë që palët të gjejnë gjuhën  dhe opozita të lërë bojkotin, në drejtim të të cilit ka shkuar kritika parësore e tij kur nuk legjitimoi një opozitë jashtë Kuvendit.

“Në fakt unë kam dëgjuar dhe jo për të parën herë, e as për të fundit besoj, shqetësimet e opozitës. Unë ia kam bërë të qartë, ashtu si edhe më përpara që: të dalësh nga parlamenti dhe beteja të sillet në rrugët e vendit, kjo nuk është mënyrë europiane dhe kjo nuk ndihmon që ta sjellë Shqipërinë akoma më afër ambicies europiane. Gjatë diskutimeve të sotme (të hënës), i kam bërë thirrje qeverisë, ashtu dhe opozitës, sepse përgjegjësia është e të dyja palëve, që ta përdorin këtë dritare që na është hapur sot që opozita të kthehet në parlament dhe që qeveria të sigurojë se opozita ka gjithcka që i nevojitet që të bëjë punën e vet të rëndësishme”, tha Komisioneri Fyle.

Rama: Dënojmë dhunën në parlament  

Në këtë drejtim shkoi edhe angazhimi i Kryeministrit Rama, kur deklaroi se incidenti në parlament, që u bë edhe shkaku i largimit të opozitës, është në gjykatë tashmë dhe se Partia Socialiste distancohet ndaj cdo akti të tillë.

“Madje ne do shkojmë më tej dhe me dokumentin e rishikuar të rregullave të grupit tonë parlamentar do të ketë sanksione të panjohura më parë për cdo sjellje të kësaj natyre, deri në përjashtimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste”,  tha Rama.

Kryeministri u shpreh i gatshëm për zgjidhje të ngërçit politik që këtë të enjte:

“Ne jemi të hapur për cdo kërkesë dhe sot dëgjuam kërkesën në lidhje me komisione hetimore. Që të enjten jemi të gatshëm të votojmë cdo kërkesë për komision hetimor të Partisë Demokratike. Nëse pastaj dalin të tjera e të tjera ne prap këtu do të jemi. Vetëm ju lutem askush mos na kërkojë të bëjmë babysitter-in e opozitës. Këtë nuk e bëjmë dot. Opozita duhet të rritet vetë dhe të ecë vetë”, deklaroi Kryeministri.

Opozita përmes Majlinda Bregut deklaroi se pavarësisht se jashtë parlamentit, nuk ka asnjë dyshim se dëshiron të kontribuojë për integrimin, por nuk komentoi apelin e Komisionerit Fyle për bojkotin.

“Procesi i integrimit është procesi më madhor për shqiptarët dhe ne nuk do të bllokojmë asnjë reformë në këtë proces. Kemi qenë sot të pranishëm pavarësisht se nuk jemi në parlament. Ne ishim në parlament. Kemi qenë pjesë aktive e parlamentit. Në momentin kur nuk janë të drejtat të cilat opozita, ose për të cilat opozita qendron në parlament, kjo është një pyetje që duhet t’ia drejtoni qeverisë dhe mazhorancës”, tha Bregu.

Pavarësisht rezervimit për deklaratat anti-bojkot të Fyles, drejtuesit e opozitës duket se nuk e ka kënaqur edhe aq ky mesazh i tij në Tiranë.  /Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button