Lirohen katër nga gjashtë të dënuarit për protestat kundër rastit “Monstra

Katër nga gjashtë të dënuarit nga Gjykata për protestat kundër rastit “Monstra” janë liruar për t’u mbrojtur në liri, njofton Alsat M. Meqenëse Gjykata e Apelit nuk është prononcuar ende, për vendimin e Gjykatës së shkallës së parë, 4 të akuzuarve u është ndërprerë paraburgimi, i cili nuk mund të zgjattë më shumë se 60 ditë në rast se nuk shpaloset aktvendimi final. Muharem Bardhi, Adem Abdullai, Muharrem Isa dhe Rami Buçi do të mbrohen në liri, ndërsa procedura gjyqësore do të vazhdojë të zhvillohet. Por dy të akuzuarit e tjerë, Arian Rexhepi dhe Enur Iljazi mbeten në burg.

“Janë liruar 4 nga 6 të akuzuarit për rastin e protestave kundër rastit “Monstra”. Dy nga të akuzuarit, prej tyre njëri është klienti im, nuk janë liruar sepse para mbajtjes së paraburgimit kanë dërguar lutje dhe janë pajtuar që të fillojnë me vuajtjen e dënimit me burg”, deklaroi Ljubço Veselinovski, Avokat.

Familjarët e dy të dënuarve që nuk janë liruar ende, prisnin sot para Burgut të Shutkës lirimin e tyre. Megjithatë avokati Veselinovski shpjegon se për ta nuk do të vlejë detyrimi për lirim nga paraburgimi, për shkak se ata kanë ndërprerë paraburgimin prej disa ditësh me vetë kërkesën e tyre. Pritet që brenda 10 ditësh, Gjykata e Apelit, përfundimisht të marrë vendim rreth këtij rasti. Aktivizimi i nenit që ndërpret paraburgimin për shkak të vonesës së aktvendimit të plotfuqishëm, është rast që ndodh rrallë në praktikën gjyqësore. Sipas avokatit mbrojtës Veselinovski, kjo dëshmon edhe njëherë efikasitetin e dobët të sistemit gjyqësor në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Back to top button