Britania armatos regjimet diktatoriale

Qeveria britanike ka aprovuar mbi 3 mijë liçenca eksporti të produkteve ushtarake në vendet që mendohet se kanë probleme me respektimin e të drejtave të njeriut.

Komiteti për Eksportin e Armëve në Dhomën e Përfaqësuesve deklaron se vlera e liçencave aktuale të eksportit drejt 27 vendeve i kalon 12 miliardë stërlinat.

Këtu përfshihen shitje në masë tek Kina Irani dhe Sri Lanka. Ndërsa shitjet tek Sri Lanka, sipas raportimeve të BBC, janë konsideruar si një “çështje shumë serioze” nga autoritetet britanike.

Sipas rrjetit informativ britanik, mbi 60 liçenca janë miratuar për Iranin, të cilat parashikojnë eksportin e pajisjeve ushtarake elektronike dhe pajisje të posaçme për kriptografinë.

Liçenca për pajisje të tilla, kryesisht të fushës së telekomunikacionit, janë miratuar edhe për Kinën, me një vlerë prej 1.4 miliardë stërlinash.

Mes tyre përfshihen liçenca edhe për municione armësh zjarri, pavarësisht se Bashkimi Evropian ka vendosur një embargo armësh për Pekinin.

Liçencat në fjalë ngrenë dyshime serioze për politikat e Mbretërisë së Bashkuar, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që ka vendosur një sërë embargosh ndaj vendeve të përfshira nga luftërat civile dhe që shkelin të drejtat themelore të njeriut.

Lajme të ngjashme

Back to top button