“The Grand Budapest Hotel” filmi që duhet parë (VIDEO)

Befasi e këndshme është filmi “The Grand Budapest Hotel” i Wes Anderson, i prezantuar si premierë në shkurt të këtij viti, në Berlinale ku edhe është shpërblyer me çmimin e madh të jurisë. “The Grand Budapest Hotel” është një film i bukur për tu parë, me një paletë ngjyrash që të kënaqin syrin por edhe një rrëfim që do ta bëjë për vete secilin shikues, shkruan Klutplus. Një film i inspiruar nga disa tregime të shkrimtarit austriak Stefan Zweig.

Në fillim kemi lexuesen e librit që ka shkuar tek busti i shkrimtarit që t’i shpreh mirënjohjen për librin e tij . Mandej kemi shkrimtarin e famshëm autorin (fiksional) e librit “The Grand Budapest Hotel” që fillon të rrëfej për procesin krijues të një shkrimtari dhe që tregon se si ka ardhë deri tek historia e përshkruar në librin e tij. Mandej rolin e narratorit e merr Zero Moustafa i plakur që ia tregon historinë shkrimtarit. Historinë e një miqësie të jashtëzakonshme. Filmi tregon për aventurat e Gustav H., një kujdestar i një hoteli të famshëm në kohën mes dy Luftërave Botërore. Ai ka edhe shoqëruesin e tij Zero Moustafa ndaj të cilit tregon kujdes por edhe të cilit i beson e i ndihmon.

Gustav H. i dashuron gratë e vjetra (sepse e çmon eksperiencën e tyre në dashuri) por edhe që janë të pasura. Kurse Zero Moustafa e dashuron Agathën e re. Por ata dy, mbi të gjitha, e duan dhe nderojnë njëri-tjetrin.  “The Grand…” është i xhiruar brenda stilit tashmë të njohur të Andersonit, ku lëvizjet e kamerës në far janë të shumta, xhirimet nga stady cam, panoramimet e shpejta,… janë karakteristikë e gjithë filmave të tij, por këtu funksionojnë shumë më bukur dhe janë më funksional në raport me temën, skenarin. Edhe loja e aktorëve në këtë film është më e shpejtë, më dinamike, alla Charlie Chaplin. Fytyrat e aktorëve janë të grimuara si në farsa teatrore, me mustaqe të vizatuara, me flokë të krehura, të lyera e të ngjyera e të ngrira. Mimika dhe gjestet janë të zmadhuara.

Element tjetër i fuqishëm i këtij filmi është edhe muzika shumë e bukur dhe shumë funksionale për këtë rrëfim filmik e krijuar (por edhe e përzgjedhur) nga Alexandre Desplat. Në film shohim katër fitues të çmimit Oscar: Tilda Swinton, F. Murray Abraham, Adrien Brody dhe Fisher Stevens si dhe njëmbëdhjetë aktorë të nominuar për Oscar, mes tyre edhe Ralph Fiennes, i përhershmi në filmat e Andersonit Bill Murray, Jude Law, Harvey Keitel, etj. Madje disa prej këtyre yjeve të filmit botëror paraqiten vetëm në një ose dy skena.

Lajme të ngjashme

Back to top button