Misioni mafioz nuk do të realizohet!

PDK-ja para zgjedhjeve hyri me sloganin ”Misioni i Ri” për Kosovën. Mijëra qytetarë të Kosovës që nga janari i këtij viti, u ushqyen me premtime të rreme për rritje pagash dhe jetë më të mirë. Ky slogan ishte një mashtrim i Hashim Thaçit dhe PDK-së, duke luajtur me ndjenjat e mbi pesë qind mijë të papunëve në Kosovë, në mënyrë që t’i josh njerëzit e papunë dhe të pashpresë, ta votojnë PDK-në. Mashtrim ishte edhe gjoja hapja e 200 mijë vendeve të reja të punës, me anë të implementimit të këtij ”Misioni të Ri”, të proklamuar nga kryeministri në ikje. ”Misioni i Ri” i Hashim Thaçit dhe PDK-së, nuk mund të implementohet me ato 1.5 miliard euro nga Fondi i Trustit Pensional dhe nga shitja e ndërmarrjeve dhe fabrikave në Kosovë, për këto arsye.
E para, keqqeverisja në dy mandate, u bë shkas që asnjë subjekt politik të mos e dëshiroj PDK -në e Hashim Thaçit në bashkëqeverisje. LDK, Vetëvendosje, AAK e Nisma për Kosovën u bashkuan kundër qeverisjes Thaçi 3, duke krijuar një shumicë shqiptare me 63 deputetë, pavarësisht se PDK-ja me pesë parti të tjera në koalicion, doli e para në zgjedhje. Dhe shkaku që asnjë parti shqiptare nuk do të bëjë koalicionin me të, PDK-ja dhe Hashim Thaçi, e kanë kuptuar tashmë shumë mirë që do të shkojnë në opozitë. E dyta, Fondi i Trustit Pensional të Kosovës, nuk guxon të preket dhe të lozet ”bixhoz” me të. Këtë e kanë thënë edhe përfaqësuesit e Trustit Pensional të Kosovës, që ky fond prej 1 miliard euro nuk do të preket për asnjë arsye. Jo vetëm përfaqësuesit e Trustit të Kosovës, por edhe institucione të rëndësishme financiare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore etj, ia kanë tërhequr vërejtjen me dhjetëra herë Hashim Thaçit, që mos të bëjë fushatë në emrin e këtij Fondi, gjoja për ta implementuar planin e tij ”Misionin e Ri”. Kështu që implementimi i këtij misioni ”famoz” i Hashim Thaçit, nuk mund të implementohet, sepse nuk është plan ekonomik serioz i bazuar në argumente, por është mision mafioz i ndërtuar në bazë të gënjeshtrave dhe fontanë dëshirash, vetëm e vetëm ta mashtroj popullatën e papunë dhe të pashpresë, që ta votojnë këtë parti.

Lajme të ngjashme

Back to top button