fbpx

SHËNIME PËR POPULIZMIN: Paratë janë shkatërrim për politikën që përzihet në redaktim

8492421159-08fef7e5eb-k-1-800dpi
Disa arritje, si liritë e mediave, nuk duhet të jenë në shitje. Përgatitjet e fundit para fillimit të një ngjarjeje. Foto: State Farm, 2013

 

Në periudhën 2010-2013 për çdo ditë mbylleshin ose merreshin (bliheshin) ato media që kishin qëndrim kritik ndaj politikave të Gruevskit, e për këtë, mjet kryesor ishin kërcënimet dhe paratë.

 

Shkruan: Sasho Ordanoski

 

Ngadalë, mirëpo sigurt, rrumbullakësohet tregimi për atë se çka ndodhi me mediat në Maqedoni pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE-së në vitin 2006. Të ndihmuar fuqishëm në fitimin e pushtetit nga mediat e “gazdës Veli” (edhe disa gazdallarëve të tjerë, ok!), në disa vitet e para të qeverisjes, DPMNE-ja i qëronte hesapet me kundërshtarët politikë në LSDM dhe jashtë saj, duke “i fituar” në mënyrë sistematike të gjitha pozitat në dhe jashtë aparatit shtetëror dhe duke fituar në çdo zgjedhje të ardhshme me rezultat gjithnjë e më të mirë. Pas ndarjes së interesave ndërmjet Gruevskit dhe Ramkovskit, diku në vitin 2009 – kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve rreth ndarjes së resurseve shtetërore dhe resorëve të ndikimit – gazdë Velia mendoi se ai dhe perandoria e tij mediatike janë më të fuqishëm se pushteti. Fundin e kësaj drame e pamë të gjithë në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv: me përdorim selektiv dhe demonsrativ të forcave juridike, policore dhe të inspeksionit, mediat e gazdë Velisë u mbyllën dhe u shuan në vitin 2011.

Pastaj pushteti kaloi në marrjen agresive të pronësisë ose të politikave redaktuese në pjesën më të madhe të mediave të mbetura elektronike dhe të shtypura në Maqedoni. Në periudhën 2010-2013, për çdo ditë mbylleshin ose merreshin (bliheshin) ato media që kishin qëndrim kritik ndaj politikave të Gruevskit, e për këtë, mjet kryesor ishin kërcënimet dhe paratë. Ligjet ndryshoheshin brenda natës që të legalizohet ky operacion kriminal. Miliona euro para publike përfunduan nëpër xhepa të ndryshëm proqeveritarë dhe qeveritarë, ndërsa për të tjerët në mënyrë të rregullt u ngritën qindra aktpadi ose kundërvajtje të këtillla ose të atilla, të procesuara nëpër korridoret e gjyqësisë së njohur të pavarur maqedonase.

 

15-20 MILIONË EURO NË VIT PËR REKLAMA QEVERITARE

Qeveria u bë shpallësi më i madh nëpër media me 15-20 milionë euro në vit – kjo që tani ata pranuan se japin nga 7-8 milionë në vit menjëherë shumëzojeni së paku me dy! – ndërsa mediat u bënë një nga sponsorët më të mëdhenj të partisë në pushtet: vetëm në zgjedhjet e fundit madje 40 media lokale dhe rajonale kanë dhuruar para për Gruevskin, e ato në nivel nacional tashmë as që pyeten se sa kohë reklamuese do t’u merret. Në zgjedhjet e fundit, koalicioni i DMNE-së dispononte me 13 herë më tepër para të dedikuara për propagandë se sa koalicioni i opozitës, ndërsa pushteti vetëm në mediat e shtypura publikoi 16 herë më tepër reklama se sa opozita. Vetë VMRO-DPMNE-ja është shpallësi i pestë më i madh në tregun mediatik të Maqedonisë!

Në situatën e këtillë, politika redaktuese e numrit më të madh të mediave në Maqedoni u bë pronësi e udhëheqësisë së partisë në pushtet. Këtyre mediave u mbeti vetëm të kujdesen për mirëmbajtjen e higjienës në hapësirat e tyre, për shkak se dhe për sasinë e sheqerit në kafe e thirrin në telefon Protugjerin.

Për të gjitha regjimet autokratike, pra edhe për këtë të Gruevskit, shumë me rëndësi është që mediat të jenë nën thundrën e pushtetit. Duke i kontrolluar informatat që distribuohen në opinion dhe duke i ngulfatur informatat tjera të cilat opinioni nuk guxon t’i dëgjojë dhe t’i shohë, përhapet një sistem i bindjeve (“etos”) të cilat duhet të kontribuojnë të krijohet atmosferë në shtet se jo vetëm që është e pranueshme mënyra e udhëheqjes së Gruevskit, por se ai është edhe legjitim, se nuk ka alternativë më të mirë dhe se, edhe sikur të ketë, në mënyrë fataliste, ne nuk e meritojmë (Veber). Nevoja për liri tërhiqet para nevojës për stabilitet, ndërsa demokracia bëhet një emër i shëmtuar që mund të ta prishë ditën ose karrierën. Pothuajse e gjithë shoqëria kërkon status quo, për shkak se ka edhe më keq! E po, edhe me 300 euro jetohet, plus një kavanoz me ajvar dhe ndonjë patëlxhan!

 

“DO T’JU RADHISIM SI SHISHE!”

Rregull e vjetër është se propaganda nuk ju mëson çka, por si të mendoni dhe se çdo propagandë e suksesshme më tepër resurse do të harxhojë në atë që nuk duhet дtë kuptohet në opinion, se sa për atë për të cilën duhet të informohet publiku. Në përpjekjen që të legjitmohet çdo potez, çdo projekt ose çdo vendim i pushtetit të pagabueshëm – pa marrë parasysh pasojat katastrofale të politikave të tilla – menjëherë para mediave proqeveritare (e kur duhet edhe para ndonjë ndërtese) drejtohen diabetikë të përbetuar, të cilët luten t’u ndryshohet terapia e insulinës; postierë dhe zjarrëfikës që janë kundër grevës në arsim; mjekë të rinj të cilët janë kundër paralajmërimit për grevë të mjekëve “të vjetër”; ekologjistë që kërkojnë më tepër ndotje etj. Parimi me të cilin sundohet është ndarja e papërmirësueshme e shoqërisë në tanët dhe “armiq”, me konfliktin si metodë kryesore për zgjidhjen e proceseve shoqërore. Për asgjë nuk ka bisedë dhe marrëveshje, e lëre më kompromis! Politika e këtillë bëhet “ekspedicion ndëshkues” i përditshëm ndaj çdokujt që ka menduar se mund të mendojë me kokën e vet, jashtë asaj që do t’i komunikohet në Ditarin e TV Sitel-it. Debati i mirëfillët dhe kualitativ në media pothuajse është ngulfatur, dhe në vend tij kemi dofarë Milenkovca dhe Jankovca – dhe ekuivalentët e tyre në shtyp – të cilët poltronizmin e tyre e ofrojnë si zëvendësim për atë me të cilën do të duhej të ballafaqohen njerëzit e parë të Gruevskit: pyetje për përgjegjësinë në qeverisje, pasojat e qeverisjes së tillë dhe ajo që është më me rëndësi, ku janë paratë?

Udhëheqja e tillë e përditshme e politikës, që në ekonomi quhet si modeli i zero sum game – fituesi merr gjithçka dhe rezultati duhet të jetë 100:0 për ata që janë në pushtet – çon drejt gjendjes zgjidhjen e së cilës më së miri e përshkruan deklarata e paradokohshme e Ljube Boshkovskit: “Kur do të fitojmë, do t’ju radhisim si shishe dhe do t’ju gjykojmë!”. Në fakt, ky pushtet e di se kur do të vijë “gjysma e dytë e ndeshjes”, mijëra njerëz të dëshpëruar me të vërtetë do t’i radhisin si shishe, por kanë frikë se ndoshta nuk do të gjykohen. Prandaj edhe nuk e kanë ndërmend që kushdo që të jetë – në mënyrë demokratike dhe të qetë – t’i fitojë. Për Gruevskin dhe ekipin e tij, çështja e mbetjes në pushtet është duke u bërë çështje e mbijetesës, me gjasë jo vetëm politike. Prandaj është mirë të ketë respekt, sepse djalli që moti e ka larguar shakanë.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close