Kabashi: Gabimi i “selfies” nuk është më i madhi – ka edhe më keq

Publicisti dhe kolumnisti i Portalb, Gjakush Kabashi duke komentuar për rastin e skandalit me përmendoren e Metodija Sharlos që Artan Grubi bëri një foto “selfi” duke thënë se është e Nexhat Agollit, thotë se shefi i kabinetit të Ali Ahmetit dhe partia e tij BDI ka bërë dhe gabime më të mëdha se aq. Në një listë ai numëron gabimet:

Gjakush Kabashi
Gjakush Kabashi

1. Është gabim më i madh kur je në pushtet dhe nuk informohesh zyrtarisht, por i merr informatat nga mediat, disa prej të cilave tenton t’i shkatërrosh komplet se e thyejnë skemën e tresheve të LPK-së.

2. Është gabim më i madh kur nuk e konfirmon informatën, ndonëse si personi në fjalë, profesor universitar dy doktoratura në përgatitje, duhet ta dijë se vërtetimi është baza e informimit.

3. Është gabim më i madh kur e bën llogari se zyrtarët shqiptarë të pushtetit shpejtojnë të dalin në syret pa e ditur se çka ndodh në realitet.

4. Është gabim më i madh kur kryeshefi i partisë nuk ka shkelur qoftë edhe një herë në sheshin e Shkupit për të parë se deri ku është urbanocidi i dostit të tij të koalicionit.

5. Është gabim më i madh kur priten monumentet shqiptarë në sheshin e Shkupit, që në fakt vetëm e amnistojnë krimin financiar dhe estetik të ushtruar pa asnjë kontroll.

6. Është gabim më i madh kur asnjë zë partiak nuk merr guximin të flet kundër projektit që e shëmton Shkupin dhe legjitimon figura fatkeqe, si ajo e Car Dushanit.

7. Është gabim më i madh kur qindra profesorë, asistentë e ligjërues universitarë nuk japin qoftë edhe një deklaratë kundër projektit kriminel Skopje 2014.

8. Është gabim më i madh kur partia dhe personi në fjalë i aktivizojnë portalet dhe profilet binjake me emra partiakë/ushtarakë që ta fshehin fiaskon e sheshtë.

9. Është gabim më i madh kur futet komplet makineria për ta mbrojtur njërin e partisë që gabon sa është i rëndë, por nuk janë askund për të shkruar mbi Gjorçe Petrovin ose Radishanin.

10. Përfundimisht, është gabim më i madh kur dihet se për gabimet personale kërkojnë falje menjëherë, por për dështimet që na marrin në qafë të gjithëve, nuk thonë as gjysmë fjale goje.    /Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button