fbpx

Duka: Shqiptarët do jenë në Beograd, dua garanci nga serbët

Armando Duka është i vendosur. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit nuk ka ndërmend të lëshojë aspak në ‘dëshirën’ e tij për të parë tifozë kuqezi në stadiumin e Beogradit në 14 tetor. Duke folur për uebsajtin serb, alo.rs, presidenti FSHF-së ka mbrojtur pa asnjë dyshim tifozët kuqezi dhe ka kërkuar garanci nga policia dhe Federata serbe për këtë ndeshje.

Si e shikoni pragndeshjen me Serbinë?

“Si fillim, duhet të nënvizoj se për ne është e rëndësishme ndeshja me Danimarkën, duke parë që kjo është edhe ndeshja jonë e parë në shtëpi për këto kualifikuese dhe jemi totalisht të përqendrruar për të marrë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje. Vetëm pas kësaj ndeshjeje do të fillojmë të mendojmë për ndeshjen me Serbinë”.

Plisat kanë konfirmuar se do të jenë në Beograd, kush është mendimi juaj?

“Unë mendoj se Serbi-Shqipëri është vetëm një ndeshje futbolli dhe asgjë më shumë se kaq. Mendoj se kush dëshiron të shkoj në stadium, serb apo shqiptar, duhet të jetë i lirë për ta ndjekur këtë ndeshje të madhe”.

Si janë marrëdhëniet tuaja me Federatën Serbe të Futbollit?

“Marrëdhëniet institucionale ndërmjet dy federatave janë shumë të mira, si me presidentin Karaxhiç ashtu edhe me sekretarin Lakoviç. Për këtë arsye them se futbolli duhet të jetë në këtë frymë bashkëpunimi”.

Premtoni se tifozët shqiptarë nuk do të krijojnë probleme në Beograd?

“Unë si president i FSHF-së duhet të them një të vërtetë të madhe: tifozët shqiptarë nuk kanë krijuar asnjëherë probleme në asnjë transfertë ku kanë qënë. Nga ana tjetër unë mirëpres tifozët serb në Shqipëri. Jemi dy vende që i përkasim Europës dhe duhet të sillemi si europianë. Unë mendoj se duhet të krjojmë një atmosferë që i shërben futbolli”.

Nisur nga historia ndërmjet dy vendeve, i trembeni incidenteve?

“Ne premtojmë se do të mendojmë vetëm për ndeshjen dhe asgjë më shumë. Dua që kjo ndeshje të shërbejë për të afruar më shumë dy vendet”.

Çfarë mendoni për thirrjet “vrisni shqiptarët”, fishkëllimin e himnit tuaj dhe kërcënimet në rrjetet sociale?

“Nuk pres një frymë të tillë nga tifozët dhe dëshiroj që mediat të shërbejnë për të larguar frymën e incidenteve ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë duke kujtuar që është vetëm një ndeshje futbolli. Nga ana tjetër duhet të theksoj se është detyrim i Federatës serbe dhe e policisë vendase të japë garanci dhe të siguojë mbarëvajtjen e qetë të ndeshjes”.

Cili është komenti juaj për kërkesën e FSF për ti luajtur dy ndeshjet pa tifozë?

“Nuk kemi pasur asnjë marrëveshje ndërmjet dy federatave për këtë çështje. E vërtetë që kemi pasur një kërkesë nga Federata serbe që tifozët e të dy skuadrave të mos udhëtonin në transferta, por personalisht mendoj se një marrëveshje e tillë nuk është në të mirë të tifozëve dhe futbollit. Besoj se ashtu siç do të ketë tifozë shqiptarë në Beograd do të ketë edhe serbë në ndeshjen në Elbasan”./ aSport.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close