Shumë mësimdhënës punojnë me kontrata të skaduar

Qindra mësimdhënës në shkollat fillore dhe të mesme kryesisht në Shkup gjatë këtij muaji punojnë pa të drejtë pune për shkak të skadimit të kontratës së punës që nga 31 gushti. Për këtë periudhë kohore ata edhe nuk do të paguhen. Procedura e çlajmërim-lajmërimit të tyre, e cila duhet të zgjatë jo më shumë se 3 ditë, vazhdon edhe më tej. Faji për këtë, hidhet nga njëra palë tek tjetra, përfshi edhe Ministrinë e Arsimit, Agjencinë për Punësim, Komunat si menaxhuese të shkollave dhe Drejtorët e shkollave. Nga Ministria e Arsimit thonë se për tre muajt e parë nuk ka nevojë për konkurs të ri, por vetëm pëlqim nga Komuna.

“Çdo vit shkollor, në fillim të vitit shkollor, themeluesit, në këtë rast komunat janë të obliguara që të japin pëlqime të përkohshme tre mujore, me qëllim që mësimdhënësit të cilët nuk kanë vendime të përhershme, të mund të vazhdojnë procesin edukativo arsimor… Për qytetin e Shkupit, është qyteti i Shkupit, në këtë rast kryetari i Qytetit të Shkupit, dhe ata do të duhet të jenë më të azhurnuar sa i takon kësaj çështje, sepse kjo është në një farë mënyrë veprim që përsëritet çdo vit”, deklaroi Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit.

Nga Agjencia për Punësim thonë se po punojnë në bazë të ligjit dhe me kapacitet të plotë por procedura kërkon edhe përfshirjen e shkollave në disa procedura administrative. Përveç faktit që nuk dihet numri i saktë i kërkesave të këtij lloji, enigmë mbetet edhe koha e ndërprerjes së marrëdhënies së punës për një mësimdhënës.

“Së sa ditë do jenë të ç lajmëruar nuk mund t’ju them, pasi kërkesat prej shkollave në qytetin e Shkupit nuk vijnë në të njëjtën ditë, në kohë të njëjtë dhe çdoherë informacioni kthyes nga ata nuk është i njëjtë, pra nga çdo drejtor shkolle, sekretar apo person përgjegjës në atë shkollë. Për secilën është ndryshe, ndaj them se sa më shpejt të veprojnë shkollat, ne do të përfshihemi në proces dhe aq më pak do të kenë ndërprerje të marrëdhënies së punës, nëse bëhet fjalë për personin e njëjtë, por ndoshta do të zgjedhin person tjetër nga evidenca. Megjithatë procedura realizohet sa më shpejt që është e mundur, në bazë të kornizës ligjore dhe deri tani 90% e kuadrit të përgjithshëm që është kërkuar është realizuar. Saktë nuk e di numrin pasi ai ndryshon në vazhdimësi. Çdo ditë marrim kërkesa të reja megjithatë mbi 500-600 persona veç më kanë kaluar në Agjencinë për Punësim në qytetin e Shkupit dhe janë realizuar”, u shpreh Sllobodanka Aleksovska, udhëheqëse sektori në Agjencinë për Punësim.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Ne fshatrat e malèsisè aè Tetovès ka edhe mèsimèdhènès pa arsim adekuat pèr mèsimdhès.
    Flitet pèr fshatin Jelovjan …

Back to top button