fbpx

Analizë: Standard më i mirë jetësor me rrogë më të lartë për vetëm 0,6%?!

Për shtatë muaj, ose prej janarit deri në korrik, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, rroga mesatare neto në Maqedoni është rritur për 0,5% ndërsa rroga reale neto, e cila, sipas ekonomistëve e jep edhe pasqyrën e vërtetë për gjendjen me rrogat, është rritur për vetëm 0,6%. Statistika ka regjistruar një tempo shumë të ngadalshme të rritjes së rrogave pothuajse në të gjithë muajt që nga fillimi i vitit 2014. Sa mund përqindjet e këtilla të rritjes të ndikojnë mbi standardin jetësor, pse Maqedonia nuk mund të shkëputet nga fundi evropian për nga lartësia e rrogave, ku janë efektet nga futja e rrogës minimale?

Rroga mesatare 21.000 denarë – kush e fiton atë?

Për shtatë muaj, ose prej janarit deri në korrik, rroga reale neto është rritur për 0,6%. Sipas matjeve statistikore, në korrik lartësia e rrogës neto ka qenë 21.350 denarë. Rritje të rrogave ka në ndërtimtari, në veprimtaritë financiare, tregtinë me shumicë, industrinë për përpunim, ndërsa zvogëlim është regjistruar në veprimtaritë shërbyese, informacionet dhe komunikimet. Me rrogë reale neto prej 347 eurosh, Maqedonia mbetet në fund të listës së vendeve evropiane për nga lartësia e të ardhurave mujore.

“Mendoj se në Maqedoni nuk është e saktë e dhëna për rrogën mesatare të paguar, gjegjësisht vlera është më e vogël. Në qoftë se me të vërtetë rroga mesatare mujore është mbi 21 mijë denarë, atëherë buxheti do të rritej në 4 miliardë euro dhe atë tepër si rezultat i taksave për rrogat. Të dhënat për gjendjen me rrogat do t’i vlerësoja si sekuenciale dhe për nevoja të politikës ditore” – thotë Drage Jovanovski, ish-sindikalist dhe njohës i legjislacionit për të drejtat e punëtorëve.

Sipas të dhënave tona, punëtorët në Maqedoni kanë rroga më të ulëta jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë. Edhe hulumtimi më i ri i agjencisë turke “Anadolia” e rangoi vendin tonë në fund të vendeve evropiane. Kroacia dhe Sllovenia janë vendet e vetem nga hapësira e ish-Jugosllavisë ku rroga mesatare është më e madhe se 500 euro. Ja sa janë rrogat mesatare në rajon dhe ku gjendet Maqedonia:

Rroga mesatare ne rajon, Maqedonia ne fund te listes
Rroga mesatare ne rajon, Maqedonia ne fund te listes

Njëkohësisht, Maqedonia ishe njëri nga vendet e fundit të Ballkanit që e përcaktoi rrogën e garantuar minimale. Nga muaji mars i këtij viti, rroga mesatare është 8.800 denarë, e prej vitit 2016 ajo duhet të rritet disa herë, me ç’rast do ta arrijë vlerën prej 10.080 denarësh.

Ja se si do të jetë dinamika e rritjes së rrogave:

Mars 2014 për 750 denarë
Mars 2015 për 790 denarë
Mars 2016 për 490 denarë

Ose për tre vjet punëtorët do të fitojnë 2.090 denarë më shumë se sa të ardhurat aktuale, në qoftë se të ardhurat e tyre janë të bazuara në rrogën minimale. Edhe pse biznesmenët konsiderojnë se edhe me rrogën aktuale minimale nuk mund të plotësohen nevojat elementare jetësore, ata e hapin dilemën se a duhet të ndryshohet modeli i rritjes së rrogës minimale.

“Nëse shteti dëshiron që në mënyrë plotësuese t’u ndihmojë punëtorëve me të ardhura të ulëta, atëherë le të bëjë një sistem që do të mundësojë që taksat e rritura që janë rezultat i rrogës minimale, në vend që t’i inkasojë, t’ua kthejë punëtorëve. Mendoj se ka nevojë për një përkrahje më të madhe shtetërore për veprimtaritë që kërkojnë mund të madh fizik, konkretisht subvencionim i rrogave. Bëhet fjalë për veprimtari që gjenerojnë harxhime të larta, konkurrencë të dobët, punësojnë një të tretën e punëtorëve dhe marrin pjesë në masë të madhe në eksport” – deklaroi para do kohësh për “Portalb”-in, Marijana Prekovksa nga klasteri për tekstil, industri kjo e cila më së shumti është e prekur nga përcaktimi i rrogës minimale.

Ish-sindikalisti Jovanovski, konsideron se rroga minimale nuk duhet të potencohet si fitore historike për shkak se ajo realisht nuk ndikon në përmirësimin e standardit jetësor të punëtorëve.

“Rroga minimale në Maqedoni paraqet edhe një “tërmet” të madh për klasën punëtore. Pas tërmetit të Shkupit në vitin 1963, kjo paraqet një tërmet për punëtorët në 20 vitet e ardhshme. Rrogën e përcaktur në këtë mënyrë, asnjë qeveri në të ardhmen nuk do të dojë ta korrigjojë. Mendoj se edhe para se të përcaktohet rroga minimale, ajo ishte më e lartë për 40% në krahasim me atë të tanishmen, e në mënyrë plotësuese paguhej kompensim për ushqim dhe transport. Sipas kësaj, tani del se rroga minimale është 4.000 denarë dhe me shtesa plotësuese për ushqim dhe transport rritet në rreth 9.000 denarë, dhe për këtë arsye mendoj se kjo është zgjidhje katastrofale e pushtetit për klasën punëtore” – thotë për Portalb, Jovanovski.

Sipas Jovanovskit, në këtë moment, pjesa më e madhe e të punësuarve që punojnë për rrogë minimale, janë të punësuar në industrinë e tekstilit, hotelieri, agro-industri, bujqësi.

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, e cila mori pjesë në përcaktimin dhe në dinamikën e rritjes së rrogës minimale, këtë vendim e shpalli si fitore historike në favor të punëtorëve.

Dhe përderisa sindikati konsideron se rroga minimale është e mirëseardhur, statistika është e vrazhdë. Hulumtimi i paradokohshëm i Entit për statistikë tregoi se vetëm 1,4% nga numri i përgjithshëm i të punësuarve kanë pasur të ardhura mujore më të larta se 40.000 denarë. Mbi 10% e të punësuarve kanë marrë rrogë prej pesë deri në tetë mijë denarë. Përqindja më e madhe e të punësuarve ose pothuajse 18% marrin rrogë prej 12.000 deri në 16.000 mijë denarë. Ja përqindja e punëtorëve që kanë marrë rrogë të kategorive të ndryshme:

Përqindja e punëtorëve që kanë marrë rrogë të kategorive të ndryshme
Përqindja e punëtorëve që kanë marrë rrogë të kategorive të ndryshme

Analiza e numrave tregon se numri më i madh i të punësuarve, ose më shumë se 109 mijë persona, vitin e kaluar muajin e kanë kaluar me rrogë prej 162 deri në 200 euro. Sipas magazinës Forbs, rrogat në vend janë për 50% më të ulëta se sa ato në vendet e Evropës Lindore.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close