fbpx

Njëqind ditë qeveri, a u lodhe oj BDI?

Ndonëse ka shumë ndodhi tjera si jashtëtokësorët dhe arsimtarët rezervë aktualisht çështja më intriguese në opinion mbetet se çka do flasë BDI me rastin e prezantimit të punës së saj në njëqindditëshin e parë të qeverisë. Kjo për më shumë arsye sepse është tani qeveria e tretë që ata bëjnë me ortakun DPMNE dhe sipas matjes është prej të triave më e kota. Kjo pasi të parën në vitin 2008 e kishin pas një përmbysjeje politike që ia bënë atëherë PDSH-së jolegjitime, e mandej në vitin 2011 bile e kishin aksionin e artë që qeveria të varej prej BDI-së dhe tani në vitin 2014; kur për asgjë dhanë shumë, dhanë legjitimitetin me numrin më të madh të votave që ndonjëherë e ka marrë BDI prej qytetarëve: 153 mijë e kusur, për të mbet ashtu si edhe ishin qëkur.

Intrigimi për atë se çka mund të thonë për këto njëqind ditë bëhet edhe më i madh kur dihet se futja në qeveri këtë herë u bë me një prononcim publik për kushtëzim me përshpejtim të integrimeve e sidomos u përmend hyrja në NATO. Bile për këtë gjë u braktis një sërë artikulime politike kombëtare në mes të cilave dallohet ajo e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.

Tani BDI që la gjuhën shqipe për NATO-n e hyri në qeveri, e pasi NATO nuk ndodhi ajo  vazhdon të mbetet qeveri edhe pa gjuhën shqipe, mos ndoshta në konferencën për shtyp do jenë të sinqertë dhe do pranojnë se qëllimi është dhe ka qenë qeveria; e jo shqipja, NATO ose ndonjë gjë tjetër. Me sloganin: qeveri, vetëm ty!

Kjo pasi nuk kujtohet asnjë projekt politik i përmendur dhe i nisur në këtë mandat që do mund të përmendej si e arritur politike. Për më tepër edhe iniciativa politike më e madhe në shtet; ndryshimet kushtetuese, janë pa asgjë të BDI-së. Krejt ato që kjo parti i përmend, aty këtu, ose janë projekte të mëparshme që tani ose ndonjëherë mund të nisin me realizimin, ose janë projekte ende në letër dhe ose janë projekte të siç kanë qejf të shprehen “ortakut të tyre qeverisës” DPMNE. Kjo pasi të qenit ortak nënkupton ndarje edhe të punës edhe të përgjegjësisë e edhe të meritave. Me punëtorin ndan vetëm punën kurse me robin asgjë; më së shumti që i jepet robit është bukë, aq sa të mbetet gjallë.

Duket se sulmet dhe kritikat më të mëdha BDI do i marrë në sferën e drejtësisë, aty ku qytetarët panë dhe shohin dëmin më të madh; ndarjen arbitrare dhe pa argument të dënimeve drakonike me burgim të përjetshëm, burgosje dhe anashkalim ligjor. Siç ishte rasti me dënimet për Smilkovci, dënimet për protestat e mëpastajme si dhe neglizhimi i mbrojtjes së pronave në Gjorçe Petrov dhe i njerëzve në Radishan dhe në tërë vendin. Mbrojtja që bën BDI në këtë rast është se thirret në pavarësinë inekzistente të gjyqësorit duke thënë se ajo është parti politike dhe jo organ i pushtetit të drejtësisë. Por, në këtë rast ata harrojnë dy gjëra që i shohin gjithmonë qytetarët e ajo është se drejtësia dhe ndarja e saj është bërë që moti partiake këtu në Maqedoni duke evidentuar shumë raste të ndarjes së drejtësisë partiake në emër dhe për interes të DPMNE-së. Por, edhe harrojnë se ata vet drejtojnë dikasterin e Drejtësisë më ministër nga radhët e tyre.

Sigurisht që askush nuk kërkon nga BDI që edhe ajo të vendojë ndarje të drejtësisë partiake, por nga ana tjetër qytetarët qartë shohin se i njëjti ministër në të njëjtin dikaster mban flamur partiak të BDI-së në zyrën shtetërore. Tani nëse BDI dëshiron shtet, drejtësi dhe organe të pavarura ç’ne flamuri partiak aty?! E nëse flamuri i partisë është garant i legjitimitetit pse atëherë dënohen edhe aktivistë partiak të BDI-së kurse nga ana tjetër nuk pamë të dënohet ndokush nga partia tjetër ajo e DPMNE-së? Edhe pse ata nuk kanë ministër të drejtësisë e as flamurin partiak në atë zyre? Mos ndoshta mbajtja e flamurit lejohet me qëllim pasi krejt tjetër kush mban shkopin, e BDI-së i mbetet: “Jadi go bajrakot!”

Personalisht kisha dëshirë të jem një gazetar aktiv, prezent në ditën e mbajtjes së konferencës për shtyp për punën e BDI-së në njëqindditëshin e qeverisë dhe vetëm për të parashtruar pyetjen e njohur nga seriali humoristik: A u lodhe o Bekim? Në formë direkte si në titullin e këtij shkrimi: A u lodhe oj BDI?

Por, edhe kjo pyetje del se është përgjigjur në një gafë të mëhershme të shefit të kabinetit të kryetarit të BDI-së, kur në pyetjen se ku do shkon për pushime verore ishte përgjigjur me: “kryetari nuk shkon në pushim, pasi nuk është lodhur që të pushojë” (?!) Tamam. U murr vesh. Krejt qartë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close