fbpx

Shqipëri, opozita i vendos kushte Qeverisë: Kthim me marrëveshje në Kuvend

Përballë kërkesës së ndërkombëtarëve për të riparë opozitën në Kuvend dhe në prag të dialogut të nivelit të lartë Shqipëri – BE, pjesë e së cilës do të jenë edhe demokratët, kryeopozitari Lulzim Basha shprehet gati për një marrëveshje me shumicën që do ta kthente në aulën parlamentare.

Por që karriket e demokratëve të mos jenë më bosh, Basha i vuri Shefit të mazhorancës kushtin për të marrë përgjegjësitë politike për futjen në Kuvend të njerëzve të inkriminuar. Vetëm kështu, PD-ja do të pranonte ofertën e Kryeministrit për të forcuar me ligj, filtrat perzgjedhës të deputetëve të rinj.

“Siç nuk jemi larguar për arsye meskine nga Kuvendi, nuk kemi vënë kushte meskine për t’u rikthyer aty, – tha Basha. – Jemi në kushte papajtueshmërie me këtë Kuvend; kërkohet një vetëdije e re për të atakuar në themel, sot e përgjithmonë, problemin e madh të kriminalizimit të Kuvendit dhe të administratës publike. Kërkohet një reflektim dhe impenjim i madh, në radhë të parë i Kryeministrit të vendit, që është ëprgjegjësi numër një i kësaj situate. Më kot shkon me mendimin se opozita do të lodhet dhe do të kthehet e penduar në sallën e Kuvendit. Të mos presë kot, as ai, as suflerët e tij. Edi Rama duhet të flasë, duhet të rrëfehet, të bëjë një “mea culpa” të madhe për katranosjen që i ka bërë Kuvendit, në mënyrë që të krijohen premisat për të shkuar drejt një marrëveshjeje të rëndësishme midis shumicës dhe opozitës, një marrëveshje që do të zgjidhte një herë e mirë, çështjen e sovranitetit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese; që do të zgjidhte një herë e mirë, çështjen e dekriminalizimit të Kuvendit të Shqipërisë dhe mbarë administratës publike, duke e çmontuar në themel e deri në burmën e fundit, mekanizmin që promovon trafikantë , vrasës, pengmarrës në Kuvend dhe në poste publike.”

Shigjetat e akuzave për dhunim të ligjit e demokracisë, Lulzim Basha i hodhi mbi bashkëdrejtuesit e mazhorancës, duke iu drejtuar si “çifti anti shtet, dyshja Rama –Meta”.

“Çifti Rama – Meta, regjimi i një grushti sundimtarësh, – tha kryeopozitari, – nuk është më një metaforë apo një rrezik në horizont por një realitet i hidhur dhe i strukturuar me emra dhe mbiemra konkretë në qeverinë shqiptare. Kjo është oligarkia Rama – Meta, një establishment i tërë me interesa dhe rekoder deri kriminale. Rama dhe Meta duan të qeverisin si pashallarë. Pushteti në dorën e satrapëve është mjerim për jetën e qytetarëve. Do të na kenë përballë dhe vetëm përballë deri sa të heqin dorë nga ëndrra e sundimit.”

Me sytë nga zgjedhjet e 2014-ës, Basha renditi premtimet e pambajtura të të majtëve: “Si do t’iu dalin para qytetarëve? – pyeti Basha. – Çfarë do t’ju thonë kur nuk thonë dot se hapën 300 mijë vende pune; nuk bënë dot investime të reja; nuk rritën dot rroga e pensione; nuk bënë legalizime e shëndetësi falas.

Fjalimin prej me shumë se një ore Basha e mbylli me këtë besim: “Sot po zgjedhim përfaqësuesit që do të luftojnë çdo ditë për shqiptarët. Të nisemi drejt rrugës së ndryshimit, rrugës së lirisë dhe mirëqënies për të gjithë nga ky Kuvend, të nisim nisjen tonë të re, rroftë Partia Demokratike. Zoti e bekoftë Shqipërinë”. (OraNews)

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close